Lajmet e fundit
Disa ulëse stadiumi, të ardhura nga Suedia për t’u akomoduar në stadiumin e Prishtinës e më pas të destinuara për në Gjilan, kanë mbetur ashtu siç erdhën, të paketuara.

Ulëset e ish stadiumit kombëtar suedez të cilat erdhën si dhuratë nga Suedia ishin të dedikuara të vendoseshin në stadiumin e Prishtinës.
Meqenëse aty nuk u përdorën u nisën drejt stadiumit të qytetit në Gjilan, rreth 3.000 sosh. Por, të papërdorshme po konsiderohen edhe nga menaxhmenti i stadiumit në Gjilan pasi ato tashmë tejet të vjetra dhe nuk plotësojnë kushte për tu vendosur në shkallët e tribunave.
Drejtori i stadiumit të qytetit Qemajl Morina, tha se Drejtoria për Sport atë kohë kishte dërguar një komision për të vlerësuar gjendjen e tyre dhe njëherit për të hapur tender për rregullimin e tyre në shkallët e tribunave.
Mirëpo kjo gjë nuk u bë pasi ishte konstatuar se karriget nuk janë të përshtatshme për këtë stadium, raporton Kosova Press.
“Kemi pranuar rreth 3.000 karrige për t’i vendosur në shkallët e stadiumit nga stadiumi historik suedez. Federata e Futbollit të Kosovës ka shpërndarë karriget së bashku me pjesët e tjera përcjellëse në disa prej qyteteve kryesore të Kosovës, por ato nuk janë futur në përdorim në asnjë prej tyre”.