Në pikën 5 të rendit të ditës, Këshilli Bashkiak i Shkodrës kishte për të miratuar çështjen sa i përket impiantit. Ka qenë kjo pika që ka marrë edhe kohën më të madhe të diskutimit nga 12 pikat e djeshme.
Ka zgjatur për më shumë se 90 minuta debati për miratimin e saj, pa përfshirë këtu edhe 25 minutat që këshilltarët e djathtë kanë kërkuar për të qartësuar edhe një herë qëndrimin, që do të mbajnë për miratimin apo jo të kësaj pike.
Megjithatë, në fund, të gjitha palët, si e djathta në maxhorancë e po ashtu edhe e majta në opozitë, kanë rënë dakord në një pikë, që ka qenë shtyrja e miratimit të kësaj marrëveshjeje për një datë tjetër, e cila do të jetë përcaktohet sa më shpejt.
Për të shqyrtuar edhe një herë disa pika të kontratës, të cilat rëndojnë mbi Bashkinë e Shkodrës dhe janë të papranueshme, nga këshilltarët e të gjitha forcave politike është ngritur një komision “ad hoc”, i cili do të ketë në përbërje 7 anëtarë (të tre komisioneve të Këshillit Bashkiak të Shkodrës).
Do të jenë pikërisht komisionet e ligjeve, ekonomisë dhe sporteve që së bashku me ekspertët ligjorë të bashkisë do të kërkojnë ndryshimin e pikave të marrëveshjeve që, sipas tyre, janë në disfavorin e Bashkisë së Shkodrës.
Në këtë komision do të bëjnë pjesë katër anëtarët e Partisë Demokratike (Terezina Hila, Kristi Kola, Bujar Hoti e Filip Guraziu), dy anëtarë të Partisë Socialiste (Luan Heta e Sonila Mesi).
Bie në sy përfshirja në këtë komision e Vioresin Sinanit, goleadorit të mirënjohur shkodran, përfaqësues i LSIsë në Këshillin Bashkiak. Ky komision do t’i hapë më pas rrugë kryetares së bashkisë që të bëjë negociatat për kontratën e re.
Nga ana e saj, kryebashkiakja Ademi do të ketë me vete edhe grupin e negociatorëve, pjesëtarë edhe këto të Këshillit Bashkiak të Shkodrës.
Megjithatë, si Ademi e po ashtu edhe kryetari i Këshillit të Bashkisë, Bushati, kanë kërkuar që komisioni të punojë pa humbur kohë që pas një jave gjithçka të jetë gati për shqyrtim dhe për negocim me FSHF-në në mënyrë që Bashkia e Shkodrës të mos jetë pengesë që FSHFja të marrë financimin nga UEFA e FIFA për përfundimin sa më të shpejtë të punimeve në stadium.
Pikat që do të diskutohen Gjatë kësaj mbledhjeje të Këshillit Bashkiak të Shkodrës kanë qenë këshilltarët e majtë dhe të djathtë që kanë shikuar me kujdes disa nga pikat prej të cilave Bashkia e Shkodrës, ishte e penalizuar dhe në të cilën komisioni do të parashtrojë mendimin e vet.
Bëhet fjalë për kohëzgjatjen e kontratës, e cila, sipas atyre që morën fjalën, nuk duhet të ketë atë kohëzgjatje prej 20 vitesh.
Një pikë tjetër që është me tepër rëndësi, edhe sipas këshilltarëve, është ajo që ka të bëjë me mirëmbajtjen e stadiumit.
Për ta, mirëmbajtja e impiantit, sipas kushteve që ka UEFA e FIFA, mund të jetë e papërballueshme nga ana e Bashkisë së Shkodrës dhe për këtë duhet që të vendoset shuma që do t’i jepet bashkisë në buxhet.
Impiante të tilla, sipas këshilltarëve, kanë në buxhet një peshë shumë të madhe dhe mund të jenë të papërballueshëm për bashkinë.
Një tjetër pikë ishte se në kontratë nuk është e vendosur se sa do të jetë sanksioni mes palëve. Këshilltarët e kanë quajtur diskriminuese kontratën edhe për sa i përket përfitimit të të ardhurave, ku në të gjithë takimet ndërkombëtare (në të cilat edhe të ardhurat janë më të mëdha) përfituese do të jetë vetëm federata.
Edhe kjo pikë kërkohet që të shikohet në kontratë. Këshilltarët bashkiakë kanë treguar se kontrata e parashtruar për miratim nuk është e njëllojtë për të njëjtin qëllim si ajo e nënshkruar me Bashkinë e Elbasanit për stadiumin “Elbasan Arena”. Këto janë disa nga pikat që do të rishikohen nga komisioni i ngritur për këtë qëllim, shkruan PanoramaSport.
Lajmet e fundit





