Lajmet e fundit

Njëzet persona që ishin në bordin e një aeroplani të linjës Singapore Airlines që patën një ulje urgjente në Bangkok të martën, ende mbesin në kujdesin intensiv, tha një zyrtar i spitalit të enjten.
"Numri i pacientëve në ICU mbetet i njëjtë," u tha gazetarëve Adinun Kittiratanapaibool, drejtor i spitalit "Samitivej Srinakarin" në Bangkok. Ai shtoi se aktualisht nuk ka asnjë rast që është në rrezik për jetë.
Nga 40 personat sa ishin në fluturim, 22 pacientë kanë lëndime të shtyllës kurrizore dhe gjashtë kanë lëndime të trurit dhe kafkës, tha ai.
Pacienti më i vjetër në spital është 83-vjeç dhe më i vogli një fëmijë dyvjeçar që pësoi një tronditje, shtoi ai.
Një pasagjer vdiq nga një sulm i dyshuar në zemër dhe dhjetëra u plagosën pasi fluturimi SQ321 i Singapore Airlines hasi në atë që linja ajrore e përshkroi si turbulenca të papritura, ekstreme ndërsa fluturonte mbi Myanmar, shkruan Reuters, transmeton Klankosova.tv.