Angazhimi direkt i kancelarit të Gjermanisë, Olaf Scholz, dhe presidentit të Francës, Emmanuel Macron, për një zgjidhje në dialogun Kosovë-Serbi po çmohet fort nga një ish-emisar, që është marrë shumë me këtë çështje, gati një çerek shekulli më parë.
Wolfgang Petritsch, ish-ambasador austriak në Beograd, më 1999, ndërmjetësoi në emër të BE-së për konfliktin mes dy vendeve ballkanike në luftën e po këtij viti.
Ndonëse në Prishtinë mohohet e në Beograd pohohet se këshilltarët gjermano-francezë sollën një skelet propozimi të ri diplomatik për ujdi finale, diplomati vjenez thotë se në të dyja vendet, Jens Plotner e Emmanuel Bonne, bashkë me emisarin Miroslav Lajçak, përcollën porosi identike.
“Mendoj se që të dy u kanë thënë të njëjtën gjë të dyja palëve. Sepse Bashkimi Evropian, pikë së pari Gjermania dhe Franca, por edhe vendet tjera si Austria, janë të interesuar në një zgjidhje fer, një kompromis. Janë disa gjëra të caktuara ku s’mund të ketë kompromis, por ka shumë pjesë tjera ku kompromisi është zgjidhja e vetme demokratike në rrugën përpara”, tha ai në një intervistë ekskluzive për Klan Kosovën.
Petritsch shton se është Kosova ajo që duhet të marrë rol udhëheqës në disa fusha të dialogimit me Beogradin dhe të japë sinjale ndaj BE-së se vërtet po angazhohet.
“Një vend i ri, siç është Kosova, me këtë qasje, do të sinjalizonte se ka një qeveri që mund të veprojë e prodhojë rezultate. Sepse mënyra që gjithmonë të merret a pritet ndihmë nga jashtë nuk krijon përshtypje të madhe në shumicën e qeverive perëndimore”.
Duke u kthyer te Gjermania e Franca, austriaku shton se është pikërisht Berlini zyrtar që nuk do të lejojë ndonjë eskalim mes Kosovës e Serbisë tani kur disa çështje janë të afatizuara.
“Është e rëndësishme që të jeni specifikë e konkretë dhe të thuhet ja ku jemi. Tashmë u zgjodh çështja e fundit që ishte aq trazuese në kufi dhe tani në fund të tetorit ju duhet të propozoni një zgjidhje për çështjen e targave të veturave. Këtu ka disa mundësi dhe tashmë janë disa propozime që duhet diskutuar. Por një gjë është e qartë - gjermanët dhe francezët nuk do të lejojnë të prishet Procesi i Berlinit, takimi i të cilit do të ndodhë më 3 nëntor në Berlin. Ky proces është shumë afër zemrës së gjermanëve, sepse ata e kanë krijuar atë. Deri atëherë duhet të keni një zgjidhje që do të ishte, sipas mendimit tim, kompromis mes Prishtinës e Beogradit”.
Një detyrë e dalë nga ujdia e parë për normalizimin e raporteve kosovaro-serbe, e arritur më 2013, është themelimi i Asociacionit të Komunave Serbe. Petritsch e pranon se kjo është një temë e nxehtë dhe jo e lehtë për t’u marrë me të.
"Nëse problemi qëndron aty për gjatë kohë atëherë ai bëhet fort i zorshëm që të zgjidhet. Ju duhet të ofroni një ekstra përpjekje. Do të ishte goxha shumë në interesin e sovranitetit të Kosovës që të japë një propozim që disi do të ishte i pranueshëm, madje edhe shkallë-shkallë, nga shumica shqiptare dhe mbi të gjitha nga minoriteti serb. Kjo ka të bëjë me të drejtat e minoriteteve dhe mendimin se për çka kanë nevojë komunitetet".
Si një zgjidhje për të përmbyllur kapitullin aktual të bisedimeve Kosovë-Serbi përmendet, jo rrallë, edhe pajtimi që e u bë në Gjermani, kur ky shtet ishte ndarë në dysh.
“Të jem pak sarkastik për modelin e dy Gjermanive, a do të jetë një ribashkim, natyrisht që jo. Por e di çka, zotëri Lajçak mendon për këtë është se natyrisht në këtë proces që nisi vonë në 70-tat mes Bonit, që ishte kryeqytet, dhe Berlinit lindor, u tha se ne nuk e njohim njëri-tjetrin, pra s’ka njohje të ndërsjellë, por ka hapa të përkohshëm që duhet ndërmarrë dhe qasja atëherë ishte një qasje që në qendër kishte njerëzit dhe qëndrimin se çka me të vërtetë ju duhet njerëzve, si p.sh. vizitat familjare dhe mosprekjen në çështjet e mëdha siç është shtetësia e sovraniteti”.
Në kohën kur Wolfgang Petritsch ishte Përfaqësues Special i Bashkimit Evropian për Kosovën dhe pjesë e Konferencës së Rambujesë, si partner nga Uashingtoni e kishte ambasadorin e tashëm amerikan në Beograd, Christopher Hill.
“Chris Hill dhe unë kemi qenë fort të angazhuar në çështjen e Kosovës, atëherë kishim të bënim me një popull të shtypur në Kosovë. Tani kemi ndryshim dramatik të situatës, ku është një Kosovë, e cila e konsideron veten të pavarur dhe sovrane, e papranuar nga Beogradi, por sidoqoftë e pranuar nga shumica e vendeve të botës. Situata nuk është më sikur në të 90-at dhe ne që kemi punuar në atë periudhë, flas për veten dhe për Chris Hill po ashtu, me të cilin flasim kohë pas kohe për këtë dhe themi kanë kaluar gati 25 vjet dhe ky problem është akoma aty, njëjtë e kemi edhe rastin e Bosnje Hercegovinës”.
Vetë Hill është riaktivizuar shumë rreth dialogut Kosovë-Serbi. Në një moment ai tha se pala nga Beogradi shkoi më e përgatitur në bisedimet e Brukselit sesa ajo e Prishtinës.
"Duke qenë ambasador amerikan në Beograd, jam i sigurt që ai ka shumë informacione nga brenda. Escobar, apo ambasadori amerikan në Prishtinë, ata të gjithë flasin me njëri-tjetrin. Nuk kam informacione, por unë mund të supozoj se kishte diçka ku ai e kishte ndjenjën se në fakt Vuçiq ishte më i gatshëm që të marrë një hap sesa ishte Kurti. A është kjo e vërtetë apo jo, unë nuk e di".
"Këshilla e Chris Hillit duhet të merret seriozisht, sepse ai, sikur amerikanët e tjerë, është një mik shumë i mirë i Kosovës. Ai e do një zgjidhje dhe do të shohë angazhim konstruktiv të Kurtit në këtë dialog".
Derisa Kosova po synon njohjen nga Serbia, mëvetësinë e republikës me shumicë shqiptare s’e njohin pesë nga 27 vendet anëtare të Bashkimit Evropian. Një ujdi me Beogradin mund të lëvizë gjërat që edhe ato të pozitivizohen.
"Kam biseduar me mjaft miq që i kam në këto pesë vende, por jo në të gjitha dhe mendoj se do të ketë lëvizje. Sa më shumë që të ketë lëvizje në dialog, sa më shumë që Beogradi e Prishtina i afrohen një zgjidhjeje që është larg së ardhuri dhe bëhet hap pas hapi, këto pesë vendet mosnjohëse do të thonë OK, ata e kanë seriozisht dhe tani ne mund ta pranojmë Kosovën".
https://www.youtube.com/watch?v=qHeUpSIeGdM
●●●
LHSHKRIMI NGA
L H
Editorial nga Klan Kosova — ndjek on intervista dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.