Sonte nis seria gjysmëfinale e play-off-it në Superligën e Kosovës në basketboll për meshkuj, me një përballje interesante në Prizren.
Në palestrën “Sezai Surroi”, Bashkimi do të jetë nikoqir i Borës, në një duel që pritet të sjellë rivalitet dhe emocione që në ndeshjen e parë të serisë.
Skuadra prizrenase e mbylli sezonin e rregullt në pozitën e dytë, duke siguruar kualifikimin direkt në gjysmëfinale. Në anën tjetër, Bora kaloi me sukses fazën çerekfinale, duke eliminuar rivalin lokal Prishtinën me rezultat të pastër 2:0 në seri.
Bashkimi, që titullin e vetëm kampion e ka fituar në vitin 2018, hyn në këtë fazë me synime të qarta për të shkuar deri në fund. Ndërkohë, për Borën ky është një sezon historik, pasi për herë të parë ka arritur të jetë pjesë e play-off-it.
Ndeshja e parë e serisë zhvillohet sonte nga ora 19:30 dhe transmetohet drejtpërdrejt në Artmotion.
Skuadra që arrin tri fitore siguron një vend në finalen e madhe të kampionatit. /klankosova.tv
●●●
AHSHKRIMI NGA
Albina Haxholli
Editorial nga Klan Kosova — ndjek sport dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.