Lajmet e fundit

Sociologia Flaka Ymeri, në një intervistë ekskluzive për emisionin KIKS Kosova, tha se S. H., i cili dyshohet se vrau ish-bashkëshorten e tij sonte në oborrin para Klinikës së Gjinekologjisë, kishte urdhër mbrojtje të lëshuar nga gjykata, që të mos i afrohet viktimës.
Kjo pasi që, sipas saj, viktima H.M. e kishte denoncuar të njëjtin për dhunë në familje, çka thotë se ka qenë arsyeja e divorcit.
“Ka qenë një rast që më ka tronditur shumë, sepse ka ndodhur një vrasje e dyfishtë sonte, ku brenda pesë ditëve ndodhin dy vrasje të grave. Në fushatën dhjetëditëshe ku po diskutohet kundër dhunës, brenda pesë ditëve ndodhin dy raste të vrasjes së grave. Organet e drejtësisë kanë qenë në dijeni për rastin e saj. Nga deklarata e familjarit të saj, siç ka qarkulluar në media, aty deklaron familjari se ajo ka denoncuar ish-bashkëshortin e saj për dhunë në familje dhe pas tre muajve martesë ka kërkuar divorcin. Organet e drejtësisë nuk po e kryejnë punën si duhet, një person nën urdhrin e mbrojtjes është vrarë në oborrin e spitalit", tha ajo.
Ymeri u bëri thirrje profesionistëve dhe krerëve institucionalë që të krijojnë strategji për parandalimin e rasteve të tilla.
“Çkado që ne themi sot me mllef dhe emocion, nuk do t’i kontribuojmë situatës. Profesionistët të ulen dhe të bisedojnë me krerët institucionalë për të krijuar strategji për parandalimin e këtyre rasteve”, apeloi sociologia Flaka Ymeri. /Klankosova.tv