Lajmet e fundit
Kampionët e Shqipërisë spostohen drejt Elbasanit ku do të zhvillojnë edhe seancën e fundit para ndeshjes kundër Milsamit, duke testuar terrenin e “Elbasan Arenës”.

Skënderbeu zhvilloi seancën e fundit stërvitore në Korçë para ndeshjes me Milsamin, ku i duhet të menaxhojë avantazhin 2-0 të siguruar në transfertën moldave për të siguruar kualifikimin historik në Play-Offin e Champions League.
Këtë të Martë, kampionët e Shqipërisë spostohen drejt Elbasanit ku do të zhvillojnë edhe seancën e fundit para ndeshjes duke testuar terrenin e “Elbasan Arenës”.
Mirel Josa i kishte të gjithë lojtarët në dispozicion në seancën e të hënës ku ishte e lehtë të vije re interesimin e madh të tifozerisë korçare që ishin të pranishëm për të ndjekur përgatitjet e ekipit që është vetëm një hap larg të shkruajturit të një faqeje të artë në historinë e klubit dhe të futbollit shqiptar.
Në kampin e Skënderbeut ishte evident gjithashtu edhe optimizmi i futbollistëve që janë të impenjuar në maksimum për të shfrytëzuar rastin e artë para të cilit gjenden, me kualifikimin në Play-Off që siguron të ardhurat e nevojshme për të hapur të tjera horizonte për klubin, por edhe një ecuri të paktën deri në grupet e Europa League.
Nga ajo që është mundur të lexohet në seancën stërvitore të Josës, tekniku pritet t’i qëndrojë besnik shprehjes, “Skuadra që fiton nuk ndryshohet”, duke hedhur në fushë të njëjtin formacion me atë që fitoi 2-0 në “Zimbru Arena”, me Hamdi Salihin që është kthyer në një pikë referimi të padiskutueshme në sulm dhe Liridon Latifin që me paraqitjen në Moldavi ka fituar fanellën e titullarit./Supersport.al.