Lajmet e fundit

Dy gola ndaj Sportin gut dhe më pas 90 minuta me Kombëtaren në miqësoren ndaj Gjeorgjisë. Sabien Lilaj po kalon ndoshta momentin më të mirë të karrierës dhe aktualisht është futbollisti më i kërkuar i Skënderbeut nga klubet e huaja.
Burime të sigurta pranë drejtuesve të klubit korçar, treguan dje për “Panorama Sport” se për 26-vjeçarin do të jenë të pranishëm në ndeshjen BeshiktashSkënderbeu, gjashtë menaxherë të skuadrave turke, polake dhe çeke.
Prej muajsh, Lilaj është nën vëzhgim dhe ofertat për të kanë qenë zyrtare në klubin e Skënderbeut, mirëpo presidenti Ardjan Takaj i ka refuzuar. Pak muaj më parë kampionët e Hungarisë, Videoton, ishin gati të jepnin 400 mijë euro, por Takaj nuk u bind. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me klubin polak, Ruh Horzhov, ndërsa oferta konkrete ka pasur edhe nga skuadra të Superligës greke e qipriote, që gjithashtu janë shpërfillur nga drejtuesit korçarë. Takaj synon të shesë mesfushorin për të paktën 800 mijë euro dhe pas ndeshjes së sotme, që do të luhet në “Ataturk Olimpik” (stadiumi 42 mijë vendesh i Beshiktashit), priten zhvillime të reja. Në këto kushte, për titullarin e padiskutueshëm të Skënderbeut, sot do të jetë një ndeshje, ku performanca e mirë mund t’i shtojë kreditet për transferimin në janar drejt një kampionati më të fortë.
Skuadrat
Gazeta zbardh edhe klubet që sot do të ndjekin Lilajn. Katër prej tyre janë turke dhe bëhet fjalë për ato të Superligës vendëse Kasimpasa dhe Sivaspor, si dhe të Ligës së Parë: Goztepe dhe Adanaspor. Mirëpo, përveç menaxherëve të përgjithshëm të këtyre klubeve, që kanë prenotuar një vend në tribunën qendrore të stadiumit “Ataturk Olimpik”, enkas për Lilajn kanë ardhur nga Polonia dhe Çekia, agjentët e ekipeve Slask Vroklav dhe Banik Ostrava. Gjithashtu, një interesim konkret për mesfushorin kanë shfaqur edhe Ostende në Belgjikë dhe RNK Split në Kroaci, por për momentin asgjë nuk është e sigurt dhe vetëm Takaj e di se cili klub është më afër Lilajt.