Një person për të cilin policia thotë se ishte me probleme mendore, ka vdekur si pasojë e një sulmi kardiak në Skenderaj, të premten në orët e paradites.
Para se ai të ndërronte jetë, babai i tij rreth orës 7:00 të mëngjesit kishte kërkuar nga ekipi mjekësor që të shkojë në shtëpinë e tij dhe t’i jepet ndihma mjekësore "pasi që ai ishte i sëmurë mental".
"Dy njësi policore së bashku me ekipin mjekësor kanë shkuar në shtëpinë e tij. Dhoma e personit ishte e mbyllur me çelës nga brenda. Derisa policia dhe ekipi mjekësor kanë provuar të komunikojnë me të, i njëjti nuk ka pranuar të komunikojë me ta. Pas kësaj, policia dhe ekipi mjekësor janë larguar nga ai lokacion", ka njoftuar policia në raportin 24-orësh.
Mirëpo, rreth orës 09:40, babai i tashmë të ndjerit është paraqitur prapë në polici, pasi që sipas tij, e kishte hapur derën ku qëndronte djali i tij dhe ka kërkuar që t’i dalin në ndihmë ekipi mjekësor.
Rreth pesë minuta pas raportimit, sipas raportit policor, "të dy njësitë policore së bashku me ekipin mjekësor kanë shkuar prapë në atë lokacion ku nga ekipi mjekësor i është dhënë një qetësues, por pas disa minutave personit iu ka keqësuar gjendja në frymëmarrje dhe është dërguar në QKMF Skenderaj për trajtim".
"Por mjeku kujdestar rreth orës 09:50 ka konstatuar vdekjen e tij pas një sulmi kardiak", thotë policia në raport.
“Në QKMF Skenderaj ka dalë patrulla policore dhe njësiti i hetimeve të stacionit dhe njësiti i hetimeve rajonale. Rreth orës 12:37 ekipi i mjekësisë ligjore e ka marrë viktimën dhe e dërgojnë në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë”, shkruan në raportin 24-orësh të policisë.
Lidhur me rastin, i cili u cilësua “Vdekje e dyshimtë”, është njoftuar edhe prokurori, dhe hetimet po vazhdojnë, raporton Klankosova.tv.
●●●
EISHKRIMI NGA
Ermir Istrefi
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.