Raftet e dyqaneve dhe barnatoreve në Kosovë kanë nisur të zbrazen, ndërsa disa produkte Aptamil janë larguar krejtësisht nga tregu, pas raportimeve për praninë e një toksine të rrezikshme, të quajtur cereulide, në disa seri të qumështit për foshnje.
Më 12 mars 2026, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) së bashku me Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural njoftuan tërheqjen e dy serive të Aptamil Pronutra 1 dhe Aptamil Pronutra 2, secila në paketim prej 830 gramësh, me qëllim të parandalimit të rrezikimit të shëndetit të foshnjave.
Seritë e tërhequra janë:
- Aptamil 1 – lotet 111488577 (skadim 1 shtator 2026) dhe 111516238 (skadim 17 nëntor 2026)
- Aptamil 2 – lotet 111463178 (skadim 4 korrik 2026) dhe 111475576 (skadim 30 korrik 2026)
Në total, janë tërhequr mbi 12 kilogramë produkte. Sipas AUV-së, asnjë nga paketimet nuk ka arritur te konsumatorët, dhe rreziku për foshnjat konsiderohet i ulët.
Ky alarm u lajmërua fillimisht nga Bashkimi Evropian përmes Sistemit Evropian të Alarmit për Ushqim dhe Ushqim për Kafshë (RASFF), pas analizave laboratorike që treguan se disa lote tejkalonin kufijtë e lejuar të toksinës cereulide, e cila mund të shkaktojë diare, temperaturë dhe të vjella te foshnjet.
Nga ana e importuesve kosovarë, Union Sh.P.K dhe Rossmann & Lala Sh.P.K u detyruan të tërhiqnin produktet, të cilat ishin furnizuar nga prodhuesi Nutricia Cuijk B.V., Holandë. Union Sh.P.K bëri të ditur se ishte në dijeni për situatën përmes sistemit RASFF dhe se reagimet e tyre ishin të menjëhershme, por nuk ishin importuesi i vetëm i Aptamil në Kosovë. Përgjegjësia për importin e loteve të kontaminuara mbetet tek institucionet shtetërore.
Situata ka ngritur shqetësime te prindërit, të cilët kanë nisur të frikësohen për përdorimin e këtij brendi të qumështit për foshnje. Për të verifikuar situatën në terren, Kiks Kosova ka dalë në disa dyqane dhe barnatore, duke konstatuar se të gjitha lotet e tërhequra janë hequr nga rafte dhe nuk janë më në qarkullim për konsum.
Nga Klinika e Neonatologjisë në QKUK konfirmojnë se deri më tani nuk ka pasur asnjë rast të evidentuar me simptoma të helmimit nga qumështi Aptamil dhe nuk është shpërndarë asnjë nga produktet e kontaminuara gjatë vitit 2025.
Produktet e tërhequra ndodhen në depo të importuesve nën procedurë për asgjësim, por periudha kur do të përfundojë ky proces ende nuk dihet.
Në nivel evropian, disa shtete, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, Francën, Gjermaninë dhe Austrinë, kanë raportuar tërheqje të formulave për foshnje për shkak të toksinës cereulide. Autoritetet britanike raportuan disa raste foshnjash me simptoma të helmimit, duke përfshirë të vjella dhe dhimbje barku, pas konsumimit të produktit.
https://www.youtube.com/watch?v=QYN_SO66lC8
Për të gjitha informacionet, përfshirë palët e përfshira në këtë çështje, detajet i gjeni në videot e mëposhtme.
https://www.youtube.com/watch?v=EwkG4Oyug4I
https://www.youtube.com/watch?v=jX1W1fZjXjA
●●●
HASHKRIMI NGA
herolind ademi
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.