Lajmet e fundit

Autoritetet shqiptare ka javë që po përgatiten për ndeshjen Shqipëri – Serbi. Do të angazhojnë 1 400 policë për të ruajtur sigurinë. Biletat janë shitur të gjitha me numër të dokumentave të identifikimit. Asnjë prej tyre nuk u dha nga sportelet e biletarive. Për më tepër, një pjesë e mirë e tyre u janë shpërndarë punonjësve të administratës. Meshkujt e kanë të detyruar të jenë të shoqëruar me një femër. Gjithçka duket se është vënë në funksion të sigurisë. Po ashtu edhe të spektaklit. Lapsi.al mësoi pak ditë më parë se vetë kryeministri Rama është marrë me pjesën e spektaklit. Ai do të ngrejë disa dronë në Elbasan Arena, të cilët do të mbajnë një flamur të Bashkimit Europian.
Serbët nga ana e tyre kanë vendosur të sjellin në Shqipëri vetëm një grup studendësh si tifozë.
Megjithatë, mundësitë për trazira eksistojnë. Për këtë arsye angazhimi i autoriteteve shqiptare është më i madh se për çdo ndeshje tjetër futbolli.
Uliks Ademi, një tifoz ultras i përfaqësueses sonë që jeton në Itali, thotë se ka marrë një ofertë nga një grup tifozësh serbë një ofertë për ta prishur ndeshjen.
“Disa përfaqësues të një grupimi tifozësh serbë në Itali më kanë ofruar një shumë prej 50 mijë eurosh duke më kërkuar të shkaktoj trazira në “Elbasan Arena”. Organet kompetente mund të verifikojnë telefonatat e mia. Ata më kanë marrë në telefon duke më kërkuar një gjë të tillë. Madje më kanë “dhuruar” një flamur serb. Janë përpjekur të më joshin në një farë mënyrë. Sigurisht që kam refuzuar në mënyrë kategorike. Si mund të konceptohet që një tifoz i zjarrtë i kuqezinjve të çojë nëpër mend të dëmtojë kombëtaren?” thotë për Panorama Sport tifozi që u bë i njohur pasi hyri në fushë duke ndërprerë takimin e 18 nëntorit në vitin 2014 midis Italisë dhe Shqipërisë në stadiumin “Luixhi Ferraris” të Xhenovas.
Tifozë serbë ultras nuk do të ketë në “Elbasan Arena” më 8 tetor. As tifozë shqiptarë që konsiderohen të rrezikshëm. Autoritetet nuk ia dhanë biletë as Ballist Morinës, që ngriti dronin me banderolën e Shqipërisë së Madhe më 14 tetor 2014 në Beograd, duke shkaktuar trazira që çuan në ndërprerjen e ndeshjes. Në stadium nuk do të lejohen as banderolat me Shqipërinë e Madhe. Por siç dëshmon Uliks Ademi, nga tifozët serbë nuk reshtin përpjekjet për ta prishur këtë ndeshje, të cilën Shqipëria është e interesuar ta fitojë në fushë, si një biletë për në Euro 2016.