Lajmet e fundit

Luleshtrydhet nuk janë vetëm të shijshme por përmbajnë edhe shumë antioksidantë, magnez dhe kalium.
Megjithatë, ndryshe nga sa duket, nuk është shumë e lehtë të zgjidhni luleshtrydhet që janë të shijshme e nuk e kanë shijen e “plastikës”.
Prandaj më poshtë po ju sjellim disa këshilla se si të zgjidhni luleshtrydhet më të shijshme që janë në treg, transmeton Klan Kosova.
Aroma

Elementi i parë dhe më i rëndësishëm që duhet t’i kushtoni rëndësi kur e zgjidhni këtë frut në treg është aroma. Luleshtrydhet që janë të shijshme kanë aromë të fortë.
Nëse aroma nuk është shumë e fortë, me siguri se këto luleshtrydhe janë rritur në mënyrë artificiale dhe përmbajnë shumë kemikale.
Ngjyra

Luleshtrydhet që janë të rritura në mënyrë organike duhet të kenë ngjyrë të kuqe të ndezur, me pak shkëlqim.
Ato që kanë ngjyrë të kuqe të errët duhet të merren me rezerva: shitësit mund t'i kenë shtuar ngjyrë artificiale atyre.
Ndërsa ato me ngjyrë të zbehtë që kanë nuanca të ngjyrës së gjelbër në disa vende nuk janë të pjekura sa duhet dhe nuk do të piqen pasi të jenë mbledhur, prandaj mos i merrni ato.
Forma dhe madhësia

Forma dhe madhësia e luleshtrydheve varet nga lloji prandaj nuk ka këshilla të përgjithshme për këtë.
Por, mos u tundoni nga luleshtrydhet që janë shumë të mëdha pasi mund të mbushen me ujë për më shumë vëllim.
Gjithashtu, kushtoni vëmendje për të parë nëse luleshtrydhet janë dëmtuar sepse ato tashmë kanë filluar të kalben.
Gjethet

Gjethja në fund të luleshtrydhes mund të tregojë gjithashtu shumë për cilësinë e saj.
Para së gjithash, gjethja duhet të jetë aty pasi pa të, ky frut nuk do të qëndrojë shumë.
Së dyti, nëse gjethet janë të thara ose me ngjyrë të verdhë, kjo do të thotë se këto luleshtrydhe kanë qëndruar në raft për disa ditë.
Dhe këshilla e fundit: nëse ekziston një hapësirë mes gjethes dhe frutit, atëherë me shumë gjasë, keni gjetur luleshtrydhe që janë të ëmbla.
Farat

Sa më larg që janë farat nga njëra-tjetra dhe sa më thellë të jenë, aq më e ëmbël është luleshtrydhja.