Lajmet e fundit

Muret e larta të Burgut të Sigurisë së Lartë nuk janë të vetmet që garantojnë sigurinë. Ato bëhen edhe më të pakalueshme nga prania fizike e gardianëve të armatosur, të cilët nga kullat e vrojtimit dhe pozicionet strategjike shohin çdo lëvizje, si jashtë ndërtesave, ashtu edhe brenda hapësirave të përbashkëta: oborreve, sallave sportive, pistave të ecjes dhe çdo cepi ku shkel këmbë e të burgosurve.
Për t’u futur brenda, protokolli i kontrollit fillon që nga heqja e këpucëve. Çdo gjë vendoset në shportë – xhaketa, sendet e xhepave – dhe i nënshtrohet skanimit, raporton emisioni MAT në Klan Kosova.
Nëpër skaner kalon edhe vetë vizitori, përpara se të hapet dera e parë e kësaj strukture të fortifikuar.
Në pavijonin 2 të këtij shërbimi korrektues, në çdo hyrje janë të shkruar emrat e të burgosurve.
Ekipi i gardianëve që ka marrë ndërrimin në mëngjes, hap derën e krahut e më pas qelitë një nga një.
Kjo, edhe për të konstatuar prezencën fizike të të burgosurve dhe numërimin e tyre.
Nga ky moment të burgosurit janë të lirë të dalin nga qelitë.
Ndërkohë, Feriz Gashi, i dënuar me 29 vjet burgim për vrasje të rëndë, ka tashmë 20 vjet që jeton brenda qelive të sistemit korrektues. Prej 14 vitesh ai është i transferuar në Burgun e Sigurisë së Lartë, ku çdo ditë nis në të njëjtën mënyrë: mëngjesi fillon me rregullimin e shtratit, një ritual i detyrueshëm, e më pas me një kafe, të vetmen rutinë që i jep ndjesinë e një fillimi të zakonshëm brenda një jete krejt të pazakontë.
“Njëherë e pi një kafe, tani vjen mëngjesi, e marr mëngjesin, e ha do mëngjes, e kam edhe një terapi, e pi, Tani filloj me punën, tani dikur me këqyrë telefonatat, sot e kemi ditë e telefonatave”, thotë Gashi, i burgosur për vrasje të rëndë.
Secili i burgosur në këtë institucion ka dhomën e vet, një hapësirë ku ai kryen të gjitha nevojat bazike të përditshme. Qelitë janë të pajisura edhe me televizor, një nga të paktat dritare të kontaktit me botën e jashtme.
Gazetarja Blerta Ahmeti: 21 kanale nacionale e 21 kanale vendore, a?
Shefi i sigurimit, Naser Thaçi: Jo jo, komplet 21 kanale, me nacionale, me vendore. Tash edhe Big Brother i kanë 2 kanale.
Edhe Big Brother shohin këta këtu a?
Ferizi: S’kemi vakt për Big Brother, i kem do punë na këtu, punojmë, po në mbramje.
Cilin kanal e sheh më shumë?
Ferizi: Qito lajmet krejt, po e shikoj edhe këtë uorldin ka teknologji ka përparim të njerëzimit më shumë. është edhe ai programi i planeteve, edhe ai me kafshë më pëlqen shumë.
Detajet i gjeni më poshtë: