Lajmet e fundit

U prit me habi ardhja e tij në Stoke City.
Bile, u tha se Xherdan Shaqiri la Interin për t'iu bashkuar klubit anglez vetëm për interesa personale.
"Për cfarë tjetër, pos parave, do t'i bashkohej ai Stoke Cityt", pyeti Stephane Henchoz, dikur mbrojtësi zviceran i Liverpoolit, në kohët kur djaloshi i lindur në Kosovë po afrohej te Britania Stadium.
Edhe mund të ketë qenë ashtu.
Por, pothuajse të gjithë 18 milionë dollarët që drejtuesit e Stoke i dhanë për Shaqën, u shpaguan, të hënën pasdreke, me një potez të vetëm të "xhuxhit".
Ai shënoi një gol, sa të mrekullueshëm, aq edhe të habitshëm, në takimin me Evertonin.
Një pas i gjatë i nisur nga Bojan Krkiq preku tokën dy herë, para se të mbërrijë të Shaqiri. Ky, në një pozitë jo fort komode, e preku topin me të djathtën, që nuk këmba e tij e preferuar, dhe e dërgoi atë në rrjet, mbi portierin shtatlartë amerikan të Everton, Tim Howard.
Ajo që ndodhi habiti shumëkë.
Portali i njohur sportiv "SB Nation" doli me një titull interesant për këtë gol.
"Qysh ndodhi?", ishte gjithcka që shkruante në të, transmeton Klan Kosova.
Por teksti ishte më i gjatë. Aty, por tjerash, thuhet se goli i Shaqës, nuk do të duhet të ishte i mundur. E as legal.
Në fakt, sipas portalit, tri gjëra janë të mundshme të ndodhin kur dikush e godet topin, si ndodhi me Shaqën, të hënën.
Në fakt, ky gol ishte i dyti në ndeshjen e së hënës. Shaqiri shënoi edhe një, më herët, që erdhi si pasojë e prekjes së topit nga tre lojtarët kryesorë të Stoke. E nisi Krkiq, vazhdoi Marko Arnautoviq dhe finalizoi Xherdani. Ndonëse edhe ky që i bukur, ishte larg nga krahasimi me të parin. Këtë e tha edhe vetë kosovari, ndonëse me modesti.
“Është një gol i bukur dhe i rëndësishëm për ekipin. Jam kënaqur, por gjëja më e rëndësishme ishin tre pikët. Ndjehem më i mirë pas çdo ndeshje dhe do ta shihni këtë në fushë. Jam i lumtur që kam shënuar”, tha ai pas ndeshjes.
Këta janë dy golat e parë të djaloshit që iku në Zvicër nga Kosova, si pasojë e gjendjes së rëndë këtu dhe luftës së mëpasme. Të fundit që e kishte shënuar në një ndeshje kampionale, ishte ai i 15 shkurtit ndaj Atalantas, në Serie A, kur luante me Interin.
Trajneri i tij te Stoke, Mark Hughes e pranoi se Shaqiri luante mirë, ndonëse nuk kishte fat.
“E vetmja gjë që ka munguar deri me sot kanë qenë golat. Paraqitjet e tij kanë qenë të mira, por tashmë ai ka edhe gola. Ai ka kualitet. Këto janë golat e para të tij, por jam i sigurt se do të ketë edhe më shumë”, tha ai.
Stoke, megjithatë, vuajti pas dy golave të Shaqirit. Everton arriti të avancojë 3 me 2, deri 10 minuta para ndeshjes. Por, një gol i Joselu-së dhe një tjetër i Arnautoviq, nga një penallti që u akordua me shumë dyshime nga referi Mark Clatternburg, në finish të lojës, i dha fitoren Stoke.
Kjo fitore vjen pas një triumfi tjetër të madh që klubi regjistroi të shtunën, kur mposhti 2 me 0 Manchester Unitedin.
"Kemi dëshpëruar në shumë raste, por kemi arritur edhe disa rezultate të mëdha po ashtu", tha trajneri Mark Hughes. "Ky ka qenë një vit i cuditshëm dhe ndoshta ne jemi dëshmitarë të një ndryshimi të rëndësishëm në Premier League. Mbase edhe ekipet tjera, si puna e Leicester mund të shkojnë ashtu sic po ecin tash, deri në fund".