Lajmet e fundit

Ambasadori i Ukrainës në Shqipëri, Volodymyr Shukrov, ka thënë se ukrainasit e ardhur në Shqipëri, janë pritur mjaftë mirë nga shqiptarët, madje fëmijët kanë pasur mundësinë e vazhdimit të shkollimit të tyre në këtë vend.
“Të gjithë fëmijët ukrainas këtu, në Shqipëri, kanë mundësi të vazhdojnë procesin e arsimimit të tyre sipas sistemit ukrainas. Mësimi bëhet online dhe ambasada jonë i kushton vëmendje të veçantë . Kemi bashkëpunim të mirë me Ministrinë e Arsimit të Shqipërisë, kemi kontakte të mira dhe fëmijët tanë kanë mundësi të vazhdojnë mësimet në shkollat shqiptare dhe të shkojnë gjithashtu në kopsht”, ka thënë ai në një intervistë për DW.
Ai tha se deri tani nuk kanë mbërritur refugjatë, por ukrainas me statusin e mbrojtjes së përkohshme.
“Kam vizituar një grup fëmijësh ukrainas me nënat e tyre, që është në Durrës dhe mbërriti në Shqipëri në 23 mars. Ka edhe një grup tjetër nga Ukraina që erdhi më 30 mars. Deri tani situata është normale . Pala shqiptare pranon qytetarët ukrainas me solidaritet dhe dëshirë për t'i ndihmuar”, ka shtuar ai.