Artistja Marianthi Xhako-Qemo ndërroi jetë në moshën 81 vjecare Regjisorja Marianthi Xhako Qemo, e njohur për kontributin e saj në historinë e kinematografisë shqiptare është ndarë nga jeta në moshën 81 vjecare.
''Një humbje e madhe jo vetëm për familjen e saj por edhe për artin filmik dhe komunitetin e kineastëve'', shkruan regjisori Kujtim Gjonaj.
Marianthi lindi në qytetin e Beratit në vitin 1936 ku kaloi fëmijërinë dhe mori mësimet e para deri në përfundim të shkollës së mesme me vleresime maksimale. Mbasi kreu studimet e larta për regjisurë në Institutin Kinematografik të Moskes në Bashkimin Sovjetik,në vitin 1960 filloi punë si regjisore në Kinostudion ''Shqipëria e re'', transmeton Klan Kosova.
Gjatë më shumë se tri dekada ajo realizoi shumë filma dokumentar e kronikale, ku më të spikaturit janë: ''Qyteti i një mbi një dritareve'', me të cilën mbrojti dhe diplomën në Bashkimin Sovjetik, ''Reportazh nga Kurbneshi'', ''Burim i pashtershëm'', ''Nënë Shqipëri(mbi motivet e poemës me të njëjtin titull të Dritëro Agollit)'', ''Viti 1924'', ''Margarita dhe Kristaqi'', ''Hasan Prishtina'', ''Piktori Buza'',''Tefta Tashko'' dhe shumë e shumë dokumentarë të tjerë. Në krijimtarinë e Marianthit përvec artit dhe talentit frymëzues spikat patriotizmi dhe ndjenja e dashurisë për Shqipërinë dhe njeriun e thjeshtë.
Për kontributin e saj në artin kinematografik Marianthi është nderuar me titullin ''Artiste e merituar'' dhe disa cmime festivalet e filmit. Ajo është regjisorja e parë dhe një nga më të talentuarat e dokumentarit shqiptar.
Gjate karrierës së saj realizoi rreth 60 filma dokumentare, shkruan Gazetashqip, transmeton Klan Kosova.
●●●
KKSHKRIMI NGA
Klan Kosova
Editorial nga Klan Kosova — ndjek kulturë dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.