Lajmet e fundit

Është ndarë nga jeta në moshën 96-vjeçare akademiku Kristo Frashëri. Sipas njoftimit të shpërndarë nga Akademia e Shkencave, profesori është shuar nga shkaqe natyrore mbrëmjen e së dielës. Ceremonitë në nderim të tij do të mbahen nesër, nga ora 12:00 deri në orën 13:00, në Akademinë e Shkencave.
Kristo Frashëri, pinjoll i familjes së madhe të Frashërllinjve, ka qenë një ndër figurat më të njohura, duke e filluar veprimtarinë e tij shkencore që prej vitit 1938. Ai ka një numër të madh botimesh studimore, historike, dokumentare dhe shkencore, ku janë trajtuar periudha të ndryshme, figura dhe elemente të tjera përmes të cilave ka kaluar Shqipëria dhe shqiptarët.
Është e vështirë të bësh sot një përmbledhje të të gjitha veprave të akademikut Frashëri, sepse hapësira e tyre është mjaft e gjerë, ashtu si periudhat historike të trajtuara prej tij. Një nga shqetësimet më të mëdha të tij e që haset në të gjitha botimet, është dëshira e fortë për të sjellë në vend të gjitha deformimet që i janë bërë historiografisë shqiptare ndër shekuj.
Mbeten të rralla veprat e tij për Skënderbeun, Perandorinë e Arbrit, pavarësinë, rilindjen, kufijtë e cunguar të Shqipërisë në vitin 1913, por edhe për Çamërinë, Epirin, Kosovën, Himarën, shqiptarët e Maqedonisë e deri për kryeqytetin, Tiranën.
Kristo Frashëri mbante titullin “Nderi i Kombit” dhënë nga presidenti i atëhershëm Bamir Topi. Shqipëria humbi padyshim historianin më të madh të 100 viteve të fundit, që megjithatë do të lërë pas veprat e tij si një mënyrë për të mbetur gjithmonë mes njerëzve që duan të shohin e kuptojnë historinë dhe të vërtetat e saj.
Akademiku Frashëri e përjetoi historinë e shkruar në librat që nisin që nga etnogjeneza ilire deri në historinë e ditëve të sotme. Pinjoll i një familjeje të njohur patriotike dhe intelektuale të Frashërllinjve, ai u shqua si patriot dhe antifashist në vitet e okupacionit italian dhe gjerman, gjatë Luftës së Dytë Botërore. Frashëri shkroi dhe krijoi për gati pesë dekada në diktaturën komuniste. Dhe më pas mendimet e tij të guximshme kanë luajtur një rol të rëndësishëm dhe kanë thithur vëmendjen mediatike e institucionale në rrugën drejt demokracisë.