Një incident me armë zjarri ka ndodhur në fshatin Gjonaj të Prizrenit, ku një i ri dyshohet se ka shtënë nga një automjet në lëvizje, në afërsi të një shkollë në këtë fshat.
Sipas Policisë së Kosovës, rasti është raportuar më 29 janar 2026 rreth orës 12:15, pasi qytetarët kanë dëgjuar të shtëna me armë zjarri nga një veturë e tipit VW Golf.
Patrulla policore ka reaguar menjëherë duke dalë në vendin e ngjarjes, ku ka identifikuar automjetin e dyshuar dhe i ka dhënë sinjal për ndalim, transmeton Klankosova.tv.
I dyshuari nuk ka zbatuar urdhrin e policisë dhe është larguar me shpejtësi, çka ka bërë që të nisë një ndjekje nga njësitet policore, të cilave më pas u janë bashkuar edhe patrulla të tjera.
Gjatë përpjekjeve për kapjen e tij, policia ka bastisur edhe shtëpinë e të dyshuarit, por ai nuk është gjetur aty.
Në përfundim, i dyshuari është ndaluar, ndërsa arma, një pistoletë me pesë fishekë, të cilën e kishte hedhur në tokë – është gjetur dhe sekuestruar. I dyshuari H.B. 21 vjeçar është intervistuar dhe me aktvendim të prokurorit është ndaluar për 48 orë.
“Ndaj tij kanë filluar hetimet dhe do të ngritët kallëzim penal. për veprat penale: “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Përdorim i armës”. Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar për të vepruar me vendosmëri kundër çdo akti të paligjshëm dhe për të garantuar sigurinë e qytetarëve”, shkroi Policia.
●●●
LESHKRIMI NGA
Lendita Elshani
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.