Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, ka sulmuar Amazon-in duke e quajtur një “kompani të lidhur me Kinën”, pasi u raportua se kompania planifikon të vendosë një etiketë që njofton për tarifa shtesë në produkte, për shkak të masave të reja tregtare të shpallura nga administrata Trump.
“Kjo është një veprim armiqësor dhe politik nga Amazon,” deklaroi Leavitt në një konferencë për shtyp të mbajtur të martën. “Pse Amazon nuk bëri një veprim të tillë kur administrata Biden e rriti inflacionin në nivelin më të lartë në 40 vjet?”
Leavitt tha se kishte biseduar në telefon me Presidentin Trump lidhur me këtë zhvillim, por refuzoi të komentojë për marrëdhëniet mes presidentit dhe themeluesit të Amazon-it, Jeff Bezos.
Etiketa e re në Amazon që njofton për tarifat e aplikuara ndaj produkteve kineze ka ngjallur debat në një kohë të rritjes së tensioneve tregtare mes SHBA-së dhe Kinës. Presidenti Trump më 2 prill shpalli tarifa të reja të fuqishme mbi një gamë të gjerë mallrash të importuara nga Kina, duke synuar të adresojë pabarazitë në marrëdhëniet tregtare.
Që nga ajo kohë, çmimet e mbi 1,000 produkteve në Amazon janë rritur mesatarisht me 30%, përfshirë pajisje shtëpiake, elektronikë dhe veshje. Kompani si Anker, e njohur për aksesorët e telefonisë mobile, ka rritur çmimet në rreth një të katërtën e produkteve të saj, raporton New York Post, transmeton Klankosova.tv.
“Kjo është ndër herët e para që rritja e çmimeve lidhet qartazi me tarifat,” tha për CBS MoneyWatch, Scott Needham, CEO i kompanisë analitike SmartScout.
Ndërkohë, presidenti Trump ka befasuar opinionin publik me tonin pajtues ndaj Bezos dhe CEO-së së Metës, Mark Zuckerberg, duke i cilësuar të dy si “të shkëlqyer” dhe duke theksuar se marrëdhëniet e tyre janë përmirësuar falë respektit të ndërsjellë.
Në një sinjal të qartë për këtë kthesë, Bezos jo vetëm që ndaloi redaksinë e Washington Post nga publikimi i një përkrahjeje për rivalen e Trump, Kamala Harris, por gjithashtu nisi reforma në faqet e opinionit të gazetës, duke larguar zëra liberalë dhe duke theksuar vlerat e “lirive personale dhe tregjeve të lira”.
Vetëm pak orë pas këtyre zhvillimeve, Bezos u shfaq në një darkë private me Trump – një pamje e pazakontë për një marrëdhënie që dikur ishte e mbushur me tension.
●●●
LESHKRIMI NGA
Lendita Elshani
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.