Në njërin prej televizioneve më të famshme në Spanjë, Telecinco, u fol për luftën e fundit në Kosovë.
Aty, shqiptarja nga Kosova, Edona Sahatqija, rrëfeu historinë e saj personale, ku bashkë me familje, dolën si refugjatë në pranverën e vitit 1999.
Në emisionin “Diaspora” në Klan Kosova, Edona, që jeton tash e sa vite në Spanjë, tregon se ftesa i erdhi pas interesimit që ata shfaqën për të kuptuar mbi luftën në Kosovë.
"Më kanë kontaktuar fillimisht në Instagram dhe pastaj pas një kohe pranova që të shkoj dhe ta tregoj historinë se si kemi ardhur këtu në Mallorca.
Ata kishin interes dhe më thanë që po duam të bëjmë një intervistë dhe të folim më në detaje për gjithë historinë që më ndodhi mua dhe familjes sime në vitin 1999", deklaroi ajo.
Aty ajo tregoi konkretisht për Kampin e Bllacës, ku në mesin e qindra mijëra familjeve shqiptare, u detyruan të shpërngulen nga Kosova.
Edona thotë se reagimet që i mori më pas, ishin tejet pozitive nga spanjollët.
"Spanja akoma nuk e njeh Kosovën, por historia ime iu ka pëlqyer shumë dhe deshën të flasin në të gjithë shtetin, që ta njohin më shumë Kosovën. Nëfakt, këtu në Mallorca, veçse e njohin pak Kosovën edhe nga futbollisti Vedat Muriqi, dhe për qita kanë dashtë edhe ta njohin Kosovën por edhe gjithë historinë çfarë e kemi pasur", shton tutje ajo.
Gjatë emisionit “Diaspora”, u inkuadrua edhe babai i saj, Nexhdeti, që thotë se shpalosja e historive të tilla, është shumë e rëndësishme për Kosovën.
"Kam qenë krenar atë ditë se edhe unë u emocionova, sepse është emision i njohur pastaj historia mori jehonë, dhe iu tregoja me krenari se kjo është vajza ime. Më vjen mirë që e foli këtë pjesë, por normalisht ndjeva edhe dhimbje sepse ma kujtoi të kaluarën. Më mërziti sepse m'u kujtua duke u larguar, gjithmonë më prek ajo fotografi sepse mi kujton ato raste, dhe gjithë kohën, rri duke mendu atë histori.. thjesht më prek në zemër".
Ata folën në detaje për torturat dhe maltretimet që i përjetuan gjatë udhës me tren në Kampin e Bllacës, ku shkuan drejt Maqedonisë së Veriut.
Kampi i Bllacës njihet edhe si “kampi i ferrit”, pasi mbi 450 mijë familje shqiptare u detyruan të largohen me dhunë nga Kosova, gjatë vitit 1999.
Ndiqni rrëfimin e plotë:
https://youtu.be/wdNTvSPl2eI
●●●
LESHKRIMI NGA
Lendita Elshani
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.