Klubi motoristik “Shqiponjat MC” i është bashkuar organizimit të “Liria ka Emër” për të shkuar me motoçikleta nga Kosova në Hagë për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe bashkëluftëtarët e tyre që po mbahen në paraburgim.
Nga Kosova, motoristët u nisën më 15 tetor nga Prekazi. Për Klankosova.tv, nga “Shqiponjat MC” kanë dërguar pamje, duke bërë me dije se janë nisur tashmë nga Cyrihu një pjesë e tyre për të shkuar në Hagë bashkë me motoçiklistët e tjerë.
Në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova, më 16 tetor, organizatori i platformës “Liria ka emër”, Ismail Tasholli, ka thënë se ishin në Luzern të Zvicrës me rreth 80 motoristë, teksa u shpreh se me këtë marshim drejt Hagës duan ta përçojnë mesazhin për drejtësi.
Në një video në Facebook më parë, Tasholli kishte thënë se do të arrijnë në Hagë të dielën më 19. Ai tha se ky marsh nuk është vetëm një udhëtim me motorë, por një zë i fuqishëm për lirinë, një thirrje për drejtësinë dhe një kujtesë që sakrificat nuk harrohen.
Për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin, dje u protestua me fillim nga ora 17:00, në kryeqytetin e Shqipërisë, në Tiranë.
Një protestë e tillë ishte organizuar edhe në Prishtinë, e po ashtu edhe para Gjykatës Speciale në Hagë. /Klankosova.tv
●●●
LGSHKRIMI NGA
L. Ga.
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.