Lajmet e fundit

Janë 50 tablo, të cilat sjellin peizazhe nga e gjithë Shqipëria, në Galerinë Kombëtare të Arteve. Nga skaji më jugor në atë verior, duke ndalur edhe në ato vende, që sot njeriu i ka braktisur, por që vijnë plot dritë në një ekspozitë në GKA. Piktori Rakip Shabani tregon se rikthehet pas 9 vjetësh me një ekspozitë, në të cilën sjell punë në akuarel, të ndërthurura dhe me elemente të tjera.
Janë peizazhe, portrete, kompozime, të ndara në cikle ose jo. Duke i bërë një përshkrim asaj ç’ka ndodhur me natyrën, por edhe me njerëzit përgjatë kaq shumë viteve udhëtim dhe krijim. Piktori Rakip Shabani tregon se ka dëshirë që, kur njerëzit të shkojnë për të parë ekspozitën në GKA, të mbushen me pak ajër, por edhe të çlodhen nga politika, e cila, sipas tij, nuk zgjidh asgjë.
“Ky është mesazhi që dua të sjell nëpërmjet kësaj ekspozite, vetëm dritë”, thotë ai, duke shtuar më tej se, për fat të keq, jo të gjithë njerëzit janë mësuar me art. “Kjo është ekspozita e 40-të që unë realizoj dhe ende vazhdoj t’i them vetes sime se, nëse do të bësh art, duhet që të konsultohesh me natyrën. Natyra është shumë e ashpër, por edhe shumë bujare. Natyra të mëson përditë diçka të re”, vazhdon të thotë më tej piktori. Mjeshtër të pakursyer të bën natyra, prandaj, sipas Shabanit, nëse shkon për të bërë diçka në natyrë, duhet të shikosh edhe se çfarë strukture kanë malet, kodrat pemët etj. “Ç’është etnografia? Cilat janë këngët popullore për dashurinë?...
Nëse nuk do të ishte arti figurativ, historia e botës do të ishte e varfër. Vetëm nëpërmjet saj ne gjejmë fjalorin tonë. Unë mundohem që në mënyrë modeste të prezantoj një ekspozitë, në të cilën kam sjell dritën që ka vendi ynë”. Për çdo gjë mjeshtri i peizazheve këshillohet me natyrën, duke e interpretuar fabulën e tyre nëpërmjet elementeve të ndryshme. Sipas Shabanit, shpeshherë natyra është e tmerrshme, sepse shkul pemë dhe çfarëdo që ka rrotull, por në fund të çdo tronditjeje ajo sërish jep freski.