Lajmet e fundit

“Cinema Du Reel”, festivali ndërkombëtar i filmit dokumentar që organizohet në Qendrën Pompidou në Paris nga data 18 e deri më 27 mars, i dedikon sivjet në edicionin e tij të 38-të një program të veçantë kinemasë shqiptare, një retrospektivë të sjellë nëpërmjet dokumentarëve të fondit filmik të Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit.
Programi mbi kinemanë shqiptare, i titulluar “Një histori përmes imazheve: Arkivi Qendror Shtetëror i filmit në fokus”, është kuruar nga Clarence Tsui, një nga programuesit e festivalit “Cinema Du Reel”, kritik filmi dhe studiues i kinemasë.
Gjashtëmbëdhjetë tituj filmash dhe dokumentarë shqiptarë janë grupuar në pesë programe të cilat paraqesin etapat kryesore të historisë së Shqipërisë, treguar me anë të mediumit kinematografik. Ato etapa janë “Shqipëria e periudhës së shtetformimit”, “Zërat e censuruar”, “Marrëdhëniet me ndërkombëtarët”, “Pasoja – Historia e risjellë” dhe “Loja e fëmijëve – Realiteti i Xhanfise Kekos”.
Në kuadër të retrospektivës së kinemasë shqiptare, do të mbahet edhe një tryezë e rrumbullakët ku kineastë dhe arkivistë do të diskutojnë se si imazhet e lëvizshme i dhanë formë dhe ende sot pasqyrojnë narrativen e historisë dhe shoqërisë shqiptare dhe se si këto imazhe duhet dhe mund të ruhen, restaurohen dhe të ripërdoren për të kuptuar të tashmen.