Lajmet e fundit

Kuqezinjtë pritet të luajnë një miqësore më 13 nëntor, ndërkohë që më 17 të këtij muaji kanë planifikuar që të zhvillojnë miqësoren “festive” në Prishtinë.
Por, meqë ende nuk ka zyrtarizuar miqësoren për 13 nëntor, atëherë ka paralajmëruar Kosovën se mund të ndeshet me të në këtë datë nëse nuk gjen kundërshtar. Kjo konfirmohet nga burime pranë Federatës së Futbollit të Kosovës për “Koha Ditore” që zbardhin korrespondencën mes dy federatave.
Kjo zvarritje po mban peng edhe Kosovën, që ka të gatshme një rivale për datën 13 nëntor, në Gjermani, por nuk po mundet ta konfirmojë, pasi nuk di si do të rrjedhin gjërat për miqësoren me Shqipërinë, duke qenë se kjo është e konfirmuar dhe pret vetëm zyrtarizmin e datës, mes 13 dhe 17 nëntorit.
Kjo datë i është lënë Shqipërisë të vendosë. Shqipëria kishte disa skuadra nga të cilat pritej të merrte një përgjigje, e megjithatë ende nuk ka asgjë të konfirmuar. Në fillim ishte Kroacia dhe Bullgaria mundësia për të luajtur me njërën prej tyre, por të dyja këto përfaqësuese ranë si opsione zgjedhjeje.
Kushti i Shqipërisë ka qenë që ndeshja e 13 nëntorit të luhet në “Elbasan Arena”, ndërkohë që datën e dytë të lirë të nëntorit e kanë rezervuar parimisht për miqësoren me Kosovën që do të zhvillohet në Prishtinë. Kjo për të bërë edhe “vizitën” e kuqezinjve aty ku shqiptarët e Kosovës do të përshëndesin arritjen në Francë 2016.
E fundit ishte Finlanda që pritej të kthente një përgjigje pozitive, megjithatë diçka e tillë nuk ka ndodhur. Me këtë ekip pritej që të zhvillohej miqësorja më 13 nëntor në Shqipëri, por nuk është konfirmuar ende dhe ka lënë pezull edhe Shqipërinë, edhe Kosovën, shkruan panorama sport.