Trajneri i futbollit, Bylbyl Sokoli, ka komentuar aplikimin e Federatës Shqiptare të Futbollit që bashkë me Federatën Serbe të Futbollit ta organizojnë Kampionatin Evropian në vitin 2027 për grupmoshat U21.
Sokoli tha se duhet pasur parasysh që një pjesë e madhe e futbollistëve nga Kosova, Lugina e Maqedonia e Veriut luajnë për ekipin shqiptar, teksa shtoi se nuk e di si do të luajnë grupmoshat U21 në një organizim të përbashkët me Serbinë.
“Me këtë konkurrim të FSHF-së, nuk e di si do të ndihet Etrit Berisha, kapiteni i kombëtares shqiptare, Berat Gjimshiti, ose kapiteni legjendar Lorik Cana në këtë moment. Është e pakuptimtë dhe befasuese për mua se si mund të tejkalohet Kosova në këtë formë apo si mund të harrohen të gjitha viktimat që kanë qenë”, tha ai në “Edicioni Special” në Klan Kosova.
Tutje, ai tha se pret së shpejti një reagim shumë të madh të opinionit sportiv dhe sipas tij, këto gabime të përmirësohen.
“Këtu nuk kemi të bëjmë me sport në aspektin e garës, por kemi të bëjmë me një politikë organizative sepse është fjala për një event të kalibrit evropian dhe kjo pjesa organizative, bashkëpunimi me një shtet që ka kryer krime ndaj teje dhe ka një anti-disponim në çdo hap dhe ti dëshiron që bashkë me të, të organizosh diçka është e pakuptimtë”, tha Sokoli.
https://www.youtube.com/watch?v=6bEnYi_8JU8
●●●
BSHKRIMI NGA
BM
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.