Lajmet e fundit

Prokuroria në Shqipëri ka lëshuar 14 urdhër arreste kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për aferën e inceneratorëve, ndërsa është njoftuar kërkesa ndaj parlamentit për arrestimin dhe të deputetit socialist Alqi Bllako.
Urdhrat e arrestit, janë lëshuar në kuadër të hetimeve dhe për inceneratorin e Fierit, ndërkohë që në listë ka dhe persona të tjerë që lidhen me inceneratorin e Elbasanit, nga ku patën zanafillën hetimet, raporton VOA.
Bëhet fjalë për zyrtarë lokalë, ish-anëtarë të komisioneve të prokurimit dhe ish-administratorë. Në listë është sërish, me një urdhër të ri arresti, ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka, si dhe Klodian Zoto, ish-administrator i një prej kompanive që ndërtoi inceneratorin e Elbasanit e cila rezulton të ketë dhe 70 përqind të aksioneve në inceneratorin e Fierit.
Mbi ta rëndojnë akuza të ndryshme, që nga “Shpërdorim detyre”, “Korrupsion” apo dhe “Pastrim parash”.
Ky i sotmi është grupi i dytë i arrestimeve për çështjen e incineratorëve. SPAK arrestoi në mes të dhjetorit ish ministrin e mjedisit, Lefter Koka, nën akuzat për shpërdorim detyre, pastrim parash, korrupsion e rryshfete deri në 3.7 milionë euro gjatë procedurave për lejet e incineratorit të Elbasanit. Ai i mohoi akuzat në sallën e gjyqit, duke u shprehur se kishte zbatuar vetëm ligjin.
Krahas tij, SPAK lëshoi dy urdhra arrestimi edhe për dy Stela Gugallian dhe Klodian Zoton, e para si administratore e kompanisë, që fitoi koncensionin e Elbasanit, i dyti administrator i kompanisë, që kreu punimet. Gugallia dhe Zoto janë shpallur në kërkim nga policia.
Në rastin e arrestimit të ish ministrit të mjedisit dhe më pas, kryeministri Edi Rama, ka deklaruar se raportet e personave të dyshuar me SPAK janë marrëdhënie individuale dhe se Partia Socialiste nuk është zyrë avokatie e askujt.