Lajmet e fundit

Moralistët shpeshherë kanë thënë se Doruntinën e solli besa shqiptare. Psiko-kritikët mendojnë se e solli pengu i incestit të pakryer, ndërsa priftërinjtë pohojnë se e solli një aventurier, të cilit i kishte rrëmbyer zemrën. Ndërsa, ringjalla e Kostandinit, duket sikur përçon energjitë shpirtërore, nëpërmjet thirrjes për një rilindje morale. Por realisht përse u rikthye, në sallën e Universitetit të Arteve, mbrëmjen e djeshme, novela“Kush e solli Doruntinën”, e Ismail Kadaresë?
Gjatë një bisede me regjisorin dhe aktorin e shfaqjes, Laert Vasili, ai na rrëfen lidhjen e tij me veprën e Kadaresë, por edhe dëshirën e kahershme që këtë shfaqje ta sillte para publikut të pacensuruar, duke i dhënë vendin e duhur, edhe tematikës së incestit. Shfaqja e interpretuar mjeshtërisht, për 80-vjetorin e lindjes së shkrimtarit Ismail Kadare, nga: Margarita Xhepa, Bujar Lako, Viktor Zhusti, Suela Bako, Luli Hoxha etj., do të vazhdojë për publikun dhe gjatë fundjavës, deri më 31 janar.
Laert, përse zgjodhe që të prezantosh shfaqjen “Kush e solli Doruntinën”, për datëlindjen e shkrimtarit, Ismail Kadare?
Ka qenë një marrëveshje mes Ministrisë së Kulturës, teatrit “Aleksandër Moisiu” në Durrës, që shfaqja të vihet në Universitetin e Tiranës për 80-vjetorin e lindjes së shkrimtarit, Ismail Kadare. Ndërsa unë, në vitin 1983, këtu kam nisur udhëtimin tim si artist, këtu kam bërë përpjekjet e mia për t’u ngjitur në skenën e teatrit, në sallën e UA-së sot. Pas një përgatitje 1-vjeçare me profesor Timo Fllokon vazhdova rrugëtimin tim 20-vjeçar në Teatrin Kombëtar të Athinës. Prej një viti e gjysmë jam kthyer në Shqipëri, duke besuar se do të jem më i dobishëm për artin në Shqipëri.
“Kush e solli Doruntinën”, në një farë mënyre vjen si një dhuratë, sado e vogël, për njeriun e letrave shqipe, atë që e ka ngritur në piedestal gjuhën shqipe. Që nga “Dosja H” te “Piramida”, “Eskili ky humus i madh”, apo dhe nëpërmjet përsiatjeve të tij që bën te poezia Laokonti, ku me një buzëqeshje të ngrirë u thotë vizitorëve në Muzeun e Luvrit: “Sikur të kisha mundësi që të them një grimë apo një fjalë, ndoshta historia do të ishte ndryshe”.
Ne si shqipfolës nëse do e dëgjonim apo nëse do të kishim marrë pak nga statusi i Kadaresë, sot ndoshta do të mendonim dhe vepronim ndryshe. Është fat i madh për një komb, që të ketë gjallë akoma një njeri, i cili përcjellë gjuhën, rrëmon në arkivat e antikitetit dhe gjen shëmbëllime për të mbrojtur kauzën e shqipes, si gjuhë që rrjedh nga pellazgjishtja. Është fat për ne që të kemi rrënjë kaq të thella, që i dëshmon Ismail Kadare, prandaj është detyrë për artistët të bëjnë sadopak për veprën e tij.
Shkrimin e plotë mund ta lexoni më poshtë: