Intervistë me Felicita Jakoel, presidente e Shoqatës së Miqësisë Izrael-Shqipëri:
Familja – Arditët ishin pesë gjithsej. Historia e tyre është shumë e çuditshme. Atyre nuk u dihet ende e vërteta. Ata u arrestuan nga gjermanët dhe u dërguan në kampin e përqendrimit në Dakau të Gjermanisë. Dhe katër prej tyre u asgjësuan. U kthye vetëm babai që ishte tërësisht i shkatërruar
Pasuria – Shpronësimet e vitit 1946 jo vetëm që ua morën të gjitha dhe i nxorën nga shtëpia, por gjyshin e futën në burg dhe e dënuan me 3 vjet. Dhe familjen e gjyshes me fëmijët, rregullisht për disa muaj e fusnin në një shtëpi me qira dhe pastaj e hiqnin nga aty dhe e çonin diku tjetër
Shqiptarët i mbrojtën hebrenjtë si rrallëkund në botë. Ndryshe prej vendeve të tjera e shkelur gjatë pesë viteve rresht nga këmba e ushtarit të huaj, ishte e rreshtuar në aleancën botërore kundër fashizmit, sikurse u njoh e tillë edhe në Konferencën e Paqes në Paris, më 1946-n. Kur flitet për shpëtimin e hebrenjve për të qenë realistë në gjykim, ata duhen ndarë në dy grupe: në hebrenj rezidentë, shtetas të një vendi dhe në hebrenj të mërguar, jorezidentë. Pothuajse të gjitha shtetet europiane kanë bërë përpjekje ku më shumë e ku më pak t’i shpëtojnë hebrenjtë e tyre. Mbi të gjitha Shqipëria nuk pranoi me kuota dhe nuk raportoi kurrë kuota të realizuara.
Sipas regjistrimit të parë të popullsisë (1929-1930)në Shqipëri jetonin jo më shumë hebrenj, shtetas shqiptarë me qëndrim të përhershëm. Në dokumentet e Reich-ut të tretë deri në vitin 1939, madje deri në Konferencën e Wannsee-t, Shqipëria kishte vetëm këta 200 hebrenjtë e vet. Por natyrisht, numri i tyre u rrit edhe më shumë me shpëtimin e qindra të tjerëve që vinin nga Mali i Zi (Kotorri), Kroacia, Serbia, Kosova, Maqedonia dhe Bullgaria e vende të tjera.
Pikërisht për ato familje që ishin autoktonë në Shqipëri dhe jo vetëm, që nga regjistrimi i parë, flet në një bashkëbisedim të gjatë, Felicita Jakoel, shqiptare-hebreje, një nga bijat e familjeve të pasura Matathia dhe Jakoel dhe njëkohësisht Presidente e Shoqatës së Miqësisë Izrael – Shqipëri. Ajo tregon në rrëfimin e saj arsyet se përse familjet e saj u shpërngulën nga Janina në Vlorë shekuj më parë. Për ekzistencën e një libri të shenjtë (Sefer Torah) në sinagogën e Vlorës dhe polemikat e vazhdueshme që i mundon shqiptarët lidhur me virtytin e Besës dhe mikpritjes së të huajit. Znj. Jakoel shpjegon në detaje sipas perceptimit të saj, se çfarë e bën kombin shqiptar të quhet e t’i rrijë mirë në shtratin e tij etno-zakonor titulli “Fisnik mes Kombesh”. Fati i një tjetër familjeje hebreje me emrin Arditi në Shkodër, pengjet e një regjimi despotik dhe kujtimi i kryetarit të Frontit Demokratik që e privoi nga e drejta e studimit për shkak, jo se jo, të antisemitizmit, por se i përkiste klasës së të deklasuarve. Dëshmia e saj është një nga ato të shumtat dëshmi që do të doja të hynin në historinë orale të historiografisë shqiptare, si një pasuri e kujtesës sonë kombëtare si një vlerë e shtuar në volumin e pasur të atyre faqeve që edhe nëse nuk na lënë t’i ndriçojmë vetë, i ndriçon koha dhe kujtimi që ajo lë pas.
Si erdhën të parët tuaj në Shqipëri?
Familja ime është nga familja Matathiaj dhe Jakoel. Matathiajt kanë ardhur me të parët e tyre në fillim të shekullit 20. Gjyshja ime, Aleksandra, ka lindur në Vlorë, dhe ajo dinte t’i binte mandolinës dhe kur i binte mandolinës këndonte për mëmëdhenë. Kurse familja e gjyshit erdhi nga Janina për të bërë tregti dhe atje u martua me gjyshen. Prejardhja e familjeve hebreje të Shqipërisë, është nga Veriu i Greqisë, ose nga Janina dhe nga Preveza. Ai ishte një komunitet shumë special. Sepse ata nuk janë si shumica e hebrenjve të Greqisë, që ishin sefardi, nga fjala sefarditë, hebrenj spanjollë, të cilët ishin të ngulitur në gadishullin Iberik rreth vitit 1000. Shumica e tyre më pas ikën prej këndej, ngaqë u dëbuan në vitin 1492. Ky grup u vendos në territoret e Perandorisë Bizantine, kryesisht në tokat greke dhe fqinjëve përreth dhe u quajtën romanjotë. Ata nuk flasin spanjisht në shtëpi, por flasin greqisht dhe gjenden në Greqi prej 2 mijë vjetësh, që nga shkatërrimi i tempullit të dytë.
Shkruan Monika Shoshori Stafa*
Shkrimin e plotë mund ta lexoni më poshtë:
http://gazeta-shqip.com/lajme/2015/09/07/shpetimi-i-hebrenjve-nje-rrefim-historik-per-shqiperine-dhe-shqiptaret/