Është shpallur në kërkim një person në Durrës, pasi i njëjti dyshohet se ka goditur me veturë një 55-vjeçar dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes.
Në njoftimin e policisë thuhet se pas hetimeve dyshohet se 40-vjeçari ka tentuar të vrasë me automjet 55-vjeçarin.
“Goditi me automjet një 55-vjeçar duke e plagosur rëndë dhe u largua nga vendi i ngjarjes. Pas veprimeve intensive hetimore, identifikohet dhe shpallet në kërkim drejtuesi i automjetit. Nga veprimet hetimore dyshohet se 40-vjeçari ka tentuar të vrasë me automjet 55-vjeçarin. Vijojnë kërkimet për lokalizimin, kapjen dhe arrestimin e 40-vjeçarit, si dhe për gjetjen dhe sekuestrimin e automjetit me të cilin goditi rëndë 55-vjeçarin”.
“Më datë 24.09.2025, rreth orës 19:54, në rrugën “Vala e Detit”, Durrës, një automjet i paidentifikuar goditi këmbësorin, shtetasin A. K., alias B. K., 55 vjeç, banues në Durrës. Drejtuesi i automjetit, pasi goditi 55-vjeçarin, është larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes, së bashku me automjetin. Me marrjen e njoftimit, shërbimet e Policisë Rrugore kanë shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes”, thuhet në njoftimin e policisë.
Tutje, bëhet e ditur se i lënduari është dërguar në spital dhe është në gjendje të rëndë shëndetësore, raporton TCh, transmeton Klankosova.tv.
“Specialistët e Policisë Rrugore, në bashkëpunim me grupin hetimor dhe Specialistët e Krimeve të Rënda të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, intensifikuan veprimet për identifikimin, kapjen dhe arrestimin e drejtuesit të automjetit. Si rezultat i veprimeve intensive, rezultoi se automjeti tip “Mercedes-Benz”, në pronësi të shtetasit A. B., 40 vjeç, lindur dhe banues në Shijak, ka goditur 55-vjeçarin dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes”.
“Shërbimet e Policisë, pas kontrolleve të ushtruara, kanë shpallur në kërkim shtetasin A. B., së bashku me automjetin. Shtetasi A. K., alias B. K., është transportuar në spitalin e Traumës, Tiranë, për ndihmë më të specializuar dhe ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore, për shkak të plagëve të marra. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë”, thuhet tutje në njoftim.
●●●
GSHKRIMI NGA
G.U
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.