Lajmet e fundit

Të martën në mbrëmje, Juventus arriti ta fitojë derbin e qytetit me Torinon, me rezultatin 4-2.
Kjo ishte fitorja e 6 në të gjitha garat e ekipit të Massimiliano Allegrit, që mori goditje të rëndë këtë sezon kur u dënua me -15 pikë për shkak të parregullsive në transferimin e lojtarëve.
Pavarësisht kësaj, Juventus në fillim të muajit shkurt eliminoi Lazion nga Kupa e Italisë, për të vazhduar pastaj me dy fitore të pastërta në "Serie A", 0-3 ndaj Salernitanës dhe 1-0 kundër Fiorentinës.
Të vetmën ndeshje që nuk e fitoi ishte ajo ndaj Nantes në kuadër të 1/16 të finales në "Europa League" që përfundoi me shifrat 1-1, megjithatë në ndeshjen e kthimit në Francë triumfoi 0-3 për t'u kualifikuar në 1/8 e finales.
Ndërsa duelin e fundit në kampionat para atij me Torinon, e fitoi ndaj Spezias me shifrat 0-2.
Krahas rezultateve, shkurti u bë më pozitiv me rikthimin e Paul Pogba nga lëndimet, i cili të martën në mbrëmje regjistroi ndeshjen e parë në këtë sezon.