Lajmet e fundit

Lista e gjatë e shkrimtarëve alkoolikë është e mirënjohur, por çfarë dimë rreth motrave të tyre letrare? Një vështrim mbi shkrimtaret e shquara që gjetën strehë në shishe dhe shpëtim në letra.
Nëse shkruan një libër rreth alkoolit dhe shkrimtarëve burra, siç kam bërë unë, e vetmja pyetje që do të të bëhet më shumë se çdo tjetër është: po gratë? A ka shkrimtare gra të alkoolizuara? A janë historitë e tyre të njëjta apo të ndryshme? Përgjigjja për pyetjen e parë është e thjeshtë. Po, patjetër që ka, mes tyre figura brilante dhe të trazuara, si: Jean Rhys, Jean Stafford, Marguerite Duras, Patricia Highsmith, Elizabeth Bishop, Jane Bowles, Anne Sexton, Carson McCullers, Dorothy Parker apo Shirley Jackson. Alkoolizmi është më dominues te burrat sesa te gratë (sipas një studimi të vitit 2013 kryer nga NHS, janë llogaritur se 9% e burrave dhe 4% e grave ishin të varur nga alkooli).
Megjithatë nuk është se ka mungesë të pijedashëseve gra; gratë shkrimtare nuk kanë qenë imune ndaj joshjes së një shisheje apo zhytjes në të tilla telashe – zënkat dhe arrestimet, arratitë turpëruese, helmimi i ngadaltë i miqësive dhe marrëdhënieve familjare – që kanë sunduar kolegët burra. Jean Rhys qe për pak kohë në burg për kanosje; Elizabeth Bishop më shumë se njëherë piu eau de cologne, pasi i mbaroi mundësitë e bufesë së pijeve. Por a janë të ndryshme arsyet e të pirit të tyre? Dhe ç’mund të themi për reagimin e shoqërisë, veçanërisht në shekullin e lubrifikuar dhe të paqëndrueshëm 20; epoka e artë, nëse mund ta quajmë kështu, e alkoolit dhe shkrimtarit?
Në librin e saj të 1987-s “Prakticitete”, romancierja dhe kineastja franceze, Marguerite Duras, thotë shumë gjëra tronditëse se ç’do të thotë të jesh një grua dhe një shkrimtare. Një prej deklaratave të saj më të mrekullueshme është rreth ndryshimit mes të pirit të burrave dhe të grave ose më saktë, diferenca qëndron në mënyrën sesi të dyja gjinitë perceptohen “kur një grua pi”, shkruan ajo. “Është si një kafshë të kishte pirë ose një fëmijë. Alkoolizmi është skandaloz te një grua dhe alkoolizmi femëror është rrallë një çështje serioze. Është një njollë në hyjnoren e natyrës sonë”. Me trishtim ajo shton një pasazh personal: “Kuptova skandalin që po krijoja rreth vetes”. Ajo ka qenë e alkoolizuar, e kuptoi që në momentin e pijes së parë. Ndonjëherë mundohej ta linte për vite radhë, por gjatë periudhave të qejfit ajo dilte jashtë; e niste sapo zgjohej, bënte pushim për të vjellë dy gotat e para dhe pastaj lëmonte ndonja tetë litra Bordeaux përpara se të kalonte në trullosje. “Pija, sepse isha e alkoolizuar”, ka thënë ajo për “New York Times” më 1991. “Jam një shkrimtare prej vërteti, isha një pijanece e vërtetë. Pija verë të kuqe që të më zinte gjumi. Më pas, konjak gjatë natës. Çdo një orë nga një gotë verë dhe në mëngjes konjak pas kafesë dhe pas kësaj shkruaja. Është e mahnitshme kur shoh pas sesi ia dilja të shkruaja.”
Shkrimin e plotë mund ta lexoni këtu:
http://www.gazeta-shqip.com/lajme/2015/09/13/shkrimtaret-qe-pinin-nje-gote-vere-ne-ore/