Shkëlzen Gashi ka ribotuar librin e tij "Kosova-Lufta dhe paqja", libër ky që përbëhet nga 34 intervista të realizuara me personalitete të ndryshme politike të Kosovës, me të cilët është diskutuar për çështje të ndryshme politike si Konferenca e Rambujesë, Negociatat e Vjenës e shumëçka tjetër.
I ftuar në emisionin "Ora Shtatë" në Klan Kosova, Gashi ka treguar se ribotimin e librit e ka bërë, pasi, sipas tij, ka pasur shumë kërkesa për leximin e tij.
"E kam botuar në vitin 2019, jam kanë i bindur se s'ka me pasë interesim për këto tema dhe u befasova që u shitën të gjitha. Edhe libraritë më kanë kërku me e ribotu pasi kërkohej shumë", ka thënë Shkelzen Gashi.
Ai ka shpjeguar se në këtë libër ka përmbledhur punën e tij studentore, ku intervistat e realizuara ishin botuar në shtypet ditore të asaj kohe.
"Një pjesë e intervistave janë realizuar në vitin 2004, atëherë kam qenë student në Universitetin e Prishtinës, në departamentin e Shkencave politike. E kam pasë një punim në fakultet për Rambujenë, ku i kam intevistuar ata që kanë qenë pjesë e kësaj konference", ka shpjeguar Gashi.
Por sipas tij, jo çdokush që ka qenë pjesë e Konferencës së Rambujesë, ka pranuar të intervistohet.
"Ibrahim Rugova, Hashim Thaçi, Rexhep Qosja e Veton Surroi kanë refuzu me u intervistu", ka theksuar Gashi.
Ibrahim Rugova, sipas tij, ka qenë më refuzues për gazetarët, duke shtuar se ai ka dhënë intervista për ata që e kanë mbështetur, ndërkaq Rexhep Qosja ka refuzuar sepse, sipas tij gjithëçka në lidhje me Konferencën e Rambujesë i ka përbledhur në librin e tij.
Por ka pasur edhe të atillë që janë intervistuar më shumë se një herë.
"Disa personalitete janë intervistu nga dy-tri herë, për shembull Adem Demaqin e kam intervistu tri herë, Jakup Krasniqin dy herë", ka shtuar Gashi.
"Në fillim Adem Demaqi ka refuzu, më ka thanë sa studenti vjen me lyp intervista prej meje s'kam kohë, tani më ka thirrë vetë me bo intervistën masi i ka pa të botume intervistat e tjera në shtype ditore", ka thënë Gashi.
"Disa intervista janë realizu në vitin 2005, dhe është diskutu për tema të ndryshme politike, ndërkaq në 2006, për negociatat në Vjenë, ku është diskutu për çështjet e decentralizimit edhe statusit të zonës së mbrojtur për kishat dhe manastiret ortodokse në Kosovë", ka shpjeguar Gashi.
Ai mes tjerash ka theksuar se nuk ka qenë e vështirë të bënte intervista edhe pse ishte veç një student 21-22 vjeçar.
"Nashta që i kanë bo përshtypje që një student i Kosovës s'po i merr veç librat por po bon edhe intervista", ka thënë Gashi.
Ai ka deklaruar se shpesh ka ndodhur që të jenë ndërprerë intervistat nga ana e të intervistuarve. E kjo sipas tij ka ardhur për shkak të stilit të tij provokues, të ashpër e dinamik të të bërit intervista.
"Muhamedin Kullashi e Enver Hoxhaj këta dy kanë tentu me ndërpre intervistën, pasi kam pasur një stil që s'osht përdor përpara, stil dinamik i ashpër dhe provokativ, kom provuku shumë", ka potencuar Gashi.
Ai ka rrëfyer edhe për një incident të ndodhur në intervistën e tij të realizuar me Xhavit Halitin.
"Te marrëveshja e Rambujesë ma intersantja ka qenë me Xhavit Halitin, e ka nxjerrë kasetën prej diktafonit, e ka thy edhe më ka nxjerrë jashtë", ka thënë Shkëlzen Gashi.
Ai ka shpjeguar se kur ka dashur t'i botonte intervistat, Hidajet Hyseni, për Rambujenë dhe Melihate Termkolli, për zhvillimet politike, kanë tentuar ta ndalojnë që t'i publikojë intervistat e tyre.
"Unë i kom botu edhe pse këta kanë refuzu, se transkriptimi ka qenë i saktë s'kam shtu kurrgja", ka thënë Gashi.
I pyetur se pse Albin Kurti kryeson si i pari në listën e të intervistuarve në ribotimin e këtij libri, Gashi ka thënë se intervista e tij është botuar e para në shtyp, pra ka ndjekur një kronologji të botimit./Klankosova.tv/.
●●●
ASHKRIMI NGA
A.B
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.