Lajmet e fundit

Departamenti amerikan i Thesarit ka publikuar sanksionet kundër tre personave për rrezikim “të paqes dhe stabilitetit të Bosnje dhe Hercegovinës” duke ndihmuar në organizimin e festimeve “jokushtetuese” të identitetit serb të Bosnjës.
Tre personat e sanksionuar të mërkurën ishin të përfshirë në “ekzekutimin dhe organizimin e përkujtimit të ‘Ditës së Republikës Sërpska’” në rajonin e Republikës Sërpska më 9 janar, tha Departamenti i Thesarit në një deklaratë, raporton AFP.
Kjo ngjarje ndodhi “në kundërshtim” të një vendimi të gjykatës kushtetuese të vendit, e cila e gjeti atë si “jokushtetues”, sepse i jepte përparësi vetëm popullit serb, dhe kështu shkelte “obligimin kushtetues për mosdiskriminim”.
“Shtetet e Bashkuara janë thellësisht të shqetësuara për përpjekjet e vazhdueshme për të minuar Marrëveshjen e Paqes të Dejtonit dhe Kushtetutën e Bosnje dhe Hercegovinës, dy institucione kritike që kanë qenë instrumentale për paqen dhe stabilitetin në rajon”, tha në një deklaratë Brian Nelson, nënsekretari i Thesarit të ShBA-së për terrorizmin dhe inteligjencën financiare.
“Ne do të vazhdojmë të mbajmë llogari nga ata që kërkojnë të mbjellin ndarje për të arritur qëllimet e tyre politike në kurriz të popullit të Bosnje dhe Hercegovinës”, shtoi ai.
Njoftimi i ShBA-së pason një vendim të ngjashëm nga autoritetet e Mbretërisë së Bashkuar më 15 janar për të sanksionuar një agjenci marketingu të përfshirë në organizimin e ngjarjes.
Ngjarjet e “Ditës së Republikës Sërpska” u shënuan si një festë publike dhe panë rreth 3,000 njerëz që marshuan në një paradë në Banjallukë, qendra administrative e RS.
Presidenti serb i Bosnjës Millorad Dodik ndoqi ngjarjen me zyrtarë të tjerë të RS dhe ambasadorin e Rusisë në Bosnje.
Të sanksionuarit janë: Branisllav Okuka, këshilltar i Dodikut, përgjegjës për organizimin dhe mbledhjen e sa më shumë njerëzve për të marrë pjesë në “Ditën e Republikës Sërpska”; Jelena Pajiq Bastinaq, Sekretarja e Përgjithshme e Dodikut; dhe, Srebrenka Golliq, Kryesuesja aktuale e Këshillit Popullor të RS dhe politikane prej kohësh në SNSD. /Klankosova.tv