Lajmet e fundit

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dënuar sulmin kibernetik të Iranit ndaj Shqipërisë, ku në shënjestër ishte sistemi TIMS në aeroportin e Rinasit.
Këshilli i Sigurisë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, përmes një postimi në Twitter deklaroi se po mbështet Shqipërinë në përpjekjen për të kthyer në normalitet sistemin.
“Shtetet e Bashkuara dënojnë sulmin kibernetik të 9 shtatorit kundër aleatit tonë të NATO-s, Shqipërisë. Ky aktivitet keqdashës kundër Shqipërisë vjen pas sulmit kibernetik të 15 korrikut të kryer nga qeveria e Iranit. Qeveria e ShBA-së po mbështet përpjekjet e Shqipërisë për të zbutur pasojat e sulmit dhe të rikuperojë sistemin”, thuhet në postimin e Këshillit të Sigurisë Kombëtare.
Një ditë më parë, hakerët e sponsorizuar nga Irani kanë vënë në shënjestër sistemin TIMS që shërben për regjistrimin e hyrje daljeve në pikat kufitare.
Menjëherë më pas u ndoq protokolli fikjes së sistemit në mënyrë për të mos dhënë mundësi avancimi hakerave, në marrjen nën kontroll të këtij sistemi, më i rëndësishmi për policinë shqiptare.
Tentativa për të vënë nën kontroll sistemin TIMS me qëllim final paralizimin e punës të policisë në pikat kufitare shqiptare ndodhi vetëm pak orë pasi Departamenti amerikan i Thesarit shpalli sanksione ndaj Ministrisë së Inteligjencës dhe Sigurisë iraniane dhe ministrit të saj, me akuzën ata se janë përgjegjës për sulmin kibernetik ndaj Shqipërisë.
ShBA-ja akuzoi Iranin për përfshirje në aktivitete kibernetike kundër Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj, ndërsa sanksionet përfshijnë bllokimin e pronave të zyrtarëve dhe ministrive të mbajtura përgjegjëse.