Lajmet e fundit

Gazetarja investigative, Catherine Herridge, është shpallur fajtore të enjten nga një gjykatës federal, për mospërfillje të gjykatës.
Kjo për shkak se ajo refuzoi të zbulonte një burim konfidencial, raporton Zëri i Amerikës, transmeton Klankosova.tv.
Një seri e raportove investigative nga gazetarja veterane, e transmetuar në kanalin televiziv Fox News kur ajo punonte për këtë rrjet, flet për një shkencëtare kinezo-amerikane e cila ishte hetuar nga FBI-ja por ndaj saj nuk ishin ngritur akuza.
Gjykatësi Christopher Cooper, mori vendim që gazetaren ta dënojë me 800 dollarë në ditë (mbi 700 euro), derisa ajo të zbulojë burimin e saj.
Gjoba e shqiptuar nuk do të hyjë në fuqi menjëherë, duke i dhënë kështu kohë asaj që ajo të apelojë vendimin.
Gjykatësi tha se e “njeh rëndësinë supreme të një shtypi të lirë në shoqërinë amerikane" dhe rolin kritik të burimeve konfidenciale në gazetarinë investigative. Por Cooper tha se gjykata “gjithashtu duhet të luaj rolin e saj në respektimin e ligjit dhe mbrojtjen e autoritetit juridik”.
“Herridge dhe shumë nga kolegët e saj në fushën e gazetarisë mund të mos pajtohen me vendimin dhe të preferojnë arritjen e një ekuilibri tjetër, por ajo nuk lejohet të shkelë urdhrin e një gjykate federale pa u ndëshkuar”, shkroi Cooper, i cili u emërua në detyrë nga ish-presidenti Barack Obama.
Avokati i gazetares, Patrick Philbin, nuk komentoi.
Rrjeti Fox News tha përmes një deklarate se, “dënimi i një gazetari për mbrojtjen e një burimi konfidencial ka një efekt thellësisht rrëqethës në fushën e gazetarisë”.
Burimi konfidencial po kërkohet nga Yanping Chen, e cila e ka paditur qeverinë për publikimin e detajeve të një hetimi federal në lidhje me deklaratat e saj në dokumentet e imigracionit për punën e saj në një program të aeronautikës kineze.
Gazetarja Herridge, e pushuar nga kanali CBS News kohët e fundit, transmetoi në rrjetin Fox News në vitin 2017 një seri investigative që ekzaminonte lidhjet e Chen me ushtrinë kineze.
Në serinë investigative ngrihej pikëpyetja nëse shkencëtarja po e përdorte shkollën profesionale që kishte themeluar në Virxhinia për të ndihmuar qeverinë kineze që të siguronte informacione për pjestarët e ushtrisë amerikane.
Në vitin 2018, Chen paditi FBI-në dhe Departamentin e Drejtësisë duke thënë se të dhënat e saj personale ishin publikuar në mënyrë të përzgjedhur për të “njollosur reputacionin dhe dëmtuar mënyrën e jetesës së saj”.