Drejtori i Kombëtares së Kosovës Bajram Shala, tha në emisionin Info Klania në radio Klan Kosova FM se ofendimet që trajneri i Greqisë Gustavo Poyet, ia kishte bërë kapitenit Amir Rrahmani, ishin të rënda.
Shala tha se madje ato ofendime nuk do të ishin etike të përdoreshin në një emision.
Por, ai theksoi se reagimi i Rrahmanit ishte jashtëzakonisht sportiv.
Drejtori i kombëtares shtoi se ka pasur përplasje verbale edhe personalisht me trajnerin e Greqisë.
"Ka qenë pas ofendimit të Amir Rrahmanit. Amiri veçse e ka shpjegu cili ka qenë ofendimi. Nuk besoj që është etike që të përdorën terme të tilla në një emision. Sigurisht që s'kanë qenë fjalë të bura. Por, normalisht Amiri ka reaguar si sportist duke i thënë që "duhet të të vijë për një trajner të një nivelit si ti", pastaj trajneri grek ka vazhduar prapë duke i thënë "ti je një futbollist i një klubi siç është Napoli ku tifozët reagojnë për gjëra të vogla". Dhe ne të gjithë duhet të reagojmë dhe ta mbrojmë njëri-tjetrit, sidomos kur sulmohemi dhe ofendohemi pa të drejtë"- tha Shala.
Mbrëmë Kosova e ka humbur edhe ndeshjen e dytë ndaj Greqisë me rezultat 2:0.
Gjatë gjithë ndeshjes tifozët grek kishin krijuar tensione duke hedhur fishekzjarre dhe duke i sulmuar tifozët kosovarë.
●●●
ASHKRIMI NGA
albert
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.