Lajmet e fundit

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, ka organizuar sot në kabinetin e tij një pritje për drejtuesit e FFK-së, kryetarin Fadil Vokrri dhe Bordin Ekzekutiv të FFK-së, të cilët i përgëzoi për anëtarësimin e FFK-së në UEFA.
Në këtë takim mori pjesë edhe nënkryetari i Federatës Gjermane të Futbollit, Rainer Millkoreit.
Shala më këtë rast uroi drejtuesit FFK-së për punën e madhe dhe për suksesin historik që ka shënuar futbolli i Kosovës me anëtarësimin në UEFA, akt ky i cili i kurorëzoi ëndrrat e shumë brezave që kanë sakrifikuar shumë për futbollin e Kosovës.
Më tej Shala i uroi fat kësaj federate edhe në kongresin e FIFA-së, me çka do të përmbyllet procesi i pranimit të Kosovës në federatat e mëdha të sportit botëror.
Ndërsa kreu i Federatës së Futbollit Kosovar, Fadil Vokrriu shpreh se pranimi i vendit tonë në UEFA është ëndërr e gjeneratave të reja, dhe falënderoi të gjithë ata që kanë kontribuar në këtë drejtim, e veçanërisht ministrin për shtytjen e vazhdueshme që i ka dhënë këtij procesi, transmeton Klan Kosova.