Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala, ka thënë që nuk ka asgjë më të rëndësishme se sa gjendja shëndetësore e minatorëve të Trepçës që janë ngujuar në nëntokë.
Që tri ditë minatorët janë në grevë për shkak të mungesës së pagave dhe në protestë në lidhje me kushtet e rënda në punë.
“Ne si grup parlamentar nuk marrim pjesë në shkarkim dhe sigurisht kjo do të vazhdojë ashtu siç e keni planifikuar vetë. Ky rregullator i industrisë sot është ai që e ka sjellë situatën këtu, por jo me fajin e vet sa me fajin e qeverisë”, ka thënë Shala në seancën plenare të Kuvendit, në pikën ku po diskutohet për shqyrtimin e rekomandimit të Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti për shkarkimin e kryesueses dhe anëtarët e Bordit të Komisionit për Pavarur për Miniera dhe Minerale, raporton Klankosova.tv.
“Sot në minierën ‘Trepça’ - ndërmarrja bazike industriale minerare - po vazhdon dita e tretë e grevës. Sot Trepça s’ka zhvillim, s’ka investime në teknologji, s’ka asnjë metër hulumtime të reja, s’ka sigurime të punëtorëve, s’ka ndryshim në legjislacion, s’ka menaxhment legal, ka ushtrues detyre. Sot s’ka prodhim, edhe ai që është minimal. Sot janë mbi 10 milionë euro borxhe të ndërmarrjes Trepça”, tha më tej Shala në fjalën e tij.
Deputeti i PDK-së tha se Bordi po shkarkohet jashtëligjshëm ashtu edhe si është zgjedhur.
“Nëse kthehemi në retrospektivë, ky bord është zgjedhur në mënyrë të paligjshme dhe me ndërhyrje direkte politike, e kemi thënë kur është zgjedhur. Sot po e njëjta strukturë po i shkarkon jashtëligjshëm prapë, sepse është ndryshuar ligji mbi të cilin ata janë zgjedhur dhe sot kemi një ligj të ri në funksion të dedikuar vetëm për shkarkim të anëtarëve tuaj”, potencoi deputeti i PDK-së, Ferat Shala.
●●●
LSHKRIMI NGA
L
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.