Seriali më i ri në Netflix, "Adoleshenca", ka tronditur shikuesit me pasqyrimin e ndikimit të rrjeteve sociale tek të rinjtë.
Ky prodhim ka ngjallur reagime të forta, veçanërisht pas ngjarjeve të fundit në Kosovë, ku një 19-vjeçar u vra nga bashkëmoshatari i tij në Vushtrri.
Mirjeta Morina nga emisioni "Familja Ime" thotë se seriali është një reflektim i fuqishëm për prindërit:
“Nuk më ka befasuar për shkak të rasteve që dëgjojmë çdo ditë, por më ka bërë të mendoj se prindërit duhet të zgjohen nga gjumi, të komunikojnë më shumë me fëmijët e tyre. Çelësi i suksesit është njohja dhe komunikimi me ta, pavarësisht fazës që po kalojnë", tha Morina në emisionin "Ora Shtatë" në Klan Kosova.
Ndërkohë kriminologia Dita Çapraz thekson se ky fenomen është i studiuar prej kohësh.“Seriali tregon qartë se grupet në rrjetet sociale ndikojnë drejtpërdrejt në sjelljet dhe ndërveprimet e adoleshentëve. Ky ndikim shpesh mund të ketë pasoja të rënda", theksoi ajo.
Ndërsa avokati Azdren Bytyçi e sheh këtë si një pasqyrim të një krize sociale dhe morale:
“Këto raste janë rezultat i mënyrës së edukimit që japim si shoqëri. Rrjetet sociale vetëm sa pasqyrojnë dhe forcojnë atë që fëmijët tanë e marrin nga ambienti ku rriten, tha Bytyçi, transmeton Klankosova.tv.
Ndiqni diskutimin e plotë, në videon e mëposhtme:
https://youtu.be/S3iZWWIUZUY
●●●
LESHKRIMI NGA
Lendita Elshani
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.