Duke filluar nga 20 nëntori, në Kosovë, do të fillojë edicioni i 17-të i Festivalit të Filmit Frankofon në Kosovë.
Ky festival prezantohet nga Ambasada e Francës në Kosovë në bashkëpunim me përfaqësitë diplomatike të Zvicrës, Belgjikës dhe Luksemburgut, Aleancën Franceze të Prishtinës, Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës, transmeton Klan Kosova.
Me këtë rast, kinemaja Cineplexx në Albi Mall është bashkëpunuese për organizimin e festivalit i cili do të mbahet prej 20 deri më 30 nëntor 2017.
Hapja e festivalit do të mbahet të hënën me 20 nëntor në orën 19:00 në Cineplexx. Atë natë filmi Jalouse i David dhe Stéphane Foenkinos do të prezantohet nga vetë regjisorët e filmit.
Një takim letrar do të mbahet të martën me 21 nëntor në orën 9:00 në Fakultetin e Filologjisë të Prishtinës rreth përshtatjes së veprave letrare në kinema nga vëllezërit Foenkinos të cilët rregullisht bashkëpunojnë në projektet e veprave dhe filmave.
Aktivitetet do të vazhdojnë me fokusim mbi vallëzimin në kinema dhe me shfaqje çdo mbrëmje në orën 19:00 në Cineplexx prej 20 deri me 24 nëntor. Një mbrëmje e kinemasë belge do të mbahet të premten më 24 nëntor në ora 19:00, në Aleancën franceze të Prishtinës, me shfaqjen e filmit Tokyo Fiancée ku do të ketë edhe birra.
Festivali do të vazhdojë me 25 dhe 26 nëntor në kinemanë “Jusuf Gervalla” në Pejë, në bashkëpunim me ekipin e festivalit Anibar.
Në fund, më 30 nëntor, shfaqja e filmit Tapis Rouge do të mbahet në Universitetin e Prishtinës (Fakulteti i Filologjisë) për studentët.
Të gjitha informatat mbi shfaqjet dhe vendet tregohen në programin e detajuar dhe në faqet e facebook-ut të Festivalit të Filmit Frankofon dhe Frankofonisë në Kosovë, transmeton Klan Kosova.
●●●
KKSHKRIMI NGA
Klan Kosova
Editorial nga Klan Kosova — ndjek kulturë dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.