Tash e një muaj, kimonot e bardhë mbetën pa licencë.
Kjo pasi që më 11 shtator të këtij viti, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, mori vendim për t'ia pezulluar licencën Federatës së Karatesë së Kosovës.
Vendimi i ministrit erdhi pas rekomandimeve të Komisionit Vlerësues për Licencim të Federatave Sportive, i cili vlerësoi se kjo federatë kreu një varg shkeljesh me organizimin e Kuvendit të Jashtëzakonshëm Zgjedhor, raporton Kiks Kosova.
E gjitha nisi më 22 qershor të 2023-ës, kur dhjetë nga katërmbëdhjetë anëtarët e bordit të Federatës së Karatesë dhanë dorëheqje nga postet e tyre.
Dy nënkryetarët dhe tetë anëtarët e këtij bordi dorëzuan mandatet e tyre për shkak të pakënaqësive që lidheshin me funksionimin e organizatës.
Në njoftimin e tyre, të dorëhequrit listuan disa dështime të Federatës që i shtynë drejt këtij vendimi.
Kjo situatë, bazuar në statutin e kësaj federate, krijoi kushtet për organizimin e Kuvendit të Jashtëzakonshëm Zgjedhor për zgjedhjen e bordit të ri.
E kështu edhe u bë. Pasi njoftoi të gjithë anëtarët e FKK-së se ka pranuar dorëheqjet e shumicës së anëtarëve të bordit, sekretari i kësaj federate, Nazmi Gashi, dy ditë më vonë, më 24 qershor, njoftoi për organizimin e Kuvendit të Jashtëzakonshëm Zgjedhor.
Kuvendi për zgjedhjen e kryetarit, dy nënkryetarëve dhe nëntë anëtarëve të Federatës, u thirr për 4 korrik.
Nga ky kuvend, në të cilën morën pjesë 31 klube u zgjodh kryetari i ri Besart Baruti.
E pikërisht ky kuvend e la pa licencë Federatën e Karatesë së Kosovës.
Kjo pasi që, me organizimin dhe mbarëvajtjen e këtij Kuvendi, nuk qenë të kënaqur dy zyrtarët e MKRS-së, Afërdita Fazlija dhe Fidan Shatri, të cilët morën pjesë në cilësinë e monitoruesve.
Afërdita Fazlija, udhëheqësja e Divizionit të Federatave dhe Komitetit Olimpik të Kosovës, në raportin e saj dërguar ministrit konsideroi se thirrja e Kuvendit është bërë në kundërshtim me statusin dhe se në këtë kuvend kanë marrë pjesë edhe klube të palicencuara.
E se kryetari i ri nuk ka pasur bazë deleguese nga asnjë klub.
Ndërkaq, Shatri i cili është kryesues i Komisionit Vlerësues për Licencim të Federatave Sportive, më 1 shtator i rekomandoi ministrit Hajrullah Çeku që t'ia pezullojë licencën Federatës së Karatesë.
Dhjetë ditë më vonë, më 11 shtator, ministri Çeku bazuar në rekomandimet e këtij komisioni, pezulloi licencën e FKK-së.
https://youtu.be/p4g6Gb61rgQ
●●●
FHSHKRIMI NGA
Florentina Hoti
Editorial nga Klan Kosova — ndjek sport dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.