Lajmet e fundit
Transferimi i para dy viteve i Neymar tek Barcelona ende nuk është sqaruar. Tani ish skuadra e tij, Santos ka vendosur t'i padisë palët tjera të përfshira për dëmin që ata pretendojnë se u është shkarkuar.

Skuadra braziliane Santos ka konfirmuar se do të padisë Neymarin, të atin dhe Barcelonën për transferin e tij në Camp Nou, në vitin 2013.
Kjo pasi klubi pretendon se është mashtruar financiarisht nga katalanët, tha presidenti Modesto Roma Jr.
"Të enjten ne kemi ushtruar një ankesë zyrtare në Fifa ndaj Barcelonës, Neymarit dhe të atit".
"Më datën 31 maj bëhen dy vite që kur Neymar u transferua tek katalanët për 17.1 milionë euro, plus 2 milionë nëse ai renditet në mesin e finalistëve të Ballon d'Or.
"Më pas Santos kuptoi që vlera e vërtetë kishte qenë 83 milionë euro. Kështu, ne kërkojmë kompenzim nga të gjitha palët e përfshira".
"Ky veprim nuk është kundër asnjë lojtari, por për Santosin. Ne nuk mund të qëndronim të heshtur në këtë situatë. E repektojmë secilin por dikush duhet të paguajë për dëmet që na janë shkaktuar".
Presidenti Roma e sheh si shumë të rëndësishëm analizmin e këtij transferi.
"Nëse ky trasfer nuk analizohet siç duhet, mund të shkaktojë dëm të madh në futboll dhe në botën e transfereve të lojtarëve".