Lajmet e fundit

Presidenti amerikan Donald Trump e bëri historinë duke e nderuar me tapetin e kuq homologun rus, Vladimir Putin – liderin që Evropa dhe pjesa më e madhe e botës e sheh si përgjegjës për agresionin ndaj Ukrainës.
Lufta në Ukrainë ishte tema kyçe e këtij samiti, i cili u mbajt në tokën amerikane – në Alaskë. Teksa të dy liderët ecnin drejt skenës për fotografimin e përbashkët, organizatorët ishin kujdesur që siguria të ishte në nivelin më të lartë. Përveç pranisë së avionëve në pistë, mbi kokat e tyre fluturoi një bombardues strategjik B-2, si dhe disa avionë të tjerë ushtarakë.
Pas pritjes ceremoniale, Trump e ftoi Putinin të hipte në veturën e tij të njohur si “Bisha”. Gjatë rrugës, të shoqëruar nga delegacionet përkatëse, të dy zhvilluan një bisedë të shkurtër, përpara se të mbërrinin në vendin ku do të zhvillohej takimi.
Interesimi i gazetarëve ishte i madh, por të dy liderët, siç ishin marrë vesh më herët, nuk dhanë deklarata në atë moment. Megjithatë, gjatë pozimit për fotografi, Putin përshëndeti gazetarët me mimika të buzëqeshura.
Takimi, i planifikuar të zgjaste deri në shtatë orë, përfundoi para kohe – pa kaluar as gjysma e kohës së paraparë – me të dy liderët që dolën nga salla me buzëqeshje dhe humor të mirë.
Putin, gjatë deklaratës për media, theksoi se Rusia dhe SHBA-ja janë fqinje përmes kufirit në Alaskë, dhe si të tilla duhet të jenë jo vetëm miqësore, por edhe aleate në përpjekjet për t’i dhënë fund asaj që ai e quan “operacion special” në Ukrainë.
“Unë pajtohem me Presidentin Trump – ai foli për këtë sot – se siguria e Ukrainës duhet të garantohet. Sigurisht, ne jemi të gatshëm të punojmë për këtë. Do të doja të shpresoja që mirëkuptimi që kemi arritur do të na lejojë të afrohemi drejt këtij synimi dhe të hapim rrugën drejt paqes në Ukrainë. Presim që Kievi dhe kryeqytetet evropiane ta perceptojnë këtë në mënyrë konstruktive, të mos krijojnë pengesa dhe të mos përpiqen të ndalojnë progresin me provokime apo intriga prapa skenave”, tha Putin.
Nga ana tjetër, Trump bëri të ditur se pati pajtim për shumë çështje, por ende jo një marrëveshje përfundimtare.
“Besoj se patëm një takim shumë produktiv. Kishte shumë pika për të cilat ramë dakord. Do të përmend disa prej tyre më vonë, por ende nuk kemi arritur atje. Megjithatë, kemi bërë disa përparime. Pra, nuk ka marrëveshje derisa të arrihet një marrëveshje. Unë do ta thërras NATO-n pas pak, do të kontaktoj disa persona që i konsideroj të përshtatshëm dhe, sigurisht, do ta telefonoj edhe Presidentin Zelensky për ta informuar për takimin. Në fund të fundit, varet nga ata nëse duan të arrijnë një pajtim”, u shpreh Trump
Gjatë konferencës, Trump nuk i kurseu kritikat ndaj paraardhësve të tij për shkak të, siç tha, lejimit të luftës në Ukrainë – dhe në këtë qëndrim mori përkrahjen e Putinit.
Në përmbyllje të takimit, të dy u pajtuan që të zhvillojnë takime të tjera. Putin nuk ngurroi të propozojë që takimi i radhës të mbahet në Moskë. Trump, në shenjë falënderimi, iu drejtua Putinit me emër dhe reagoi me humor.
Pas përfundimit të takimit, të dy liderët u ndanë dhe morën rrugët e tyre. Por për liderin rus, ushtria amerikane u kujdes që ta shoqëronte me avionë ushtarakë deri në dalje të plotë nga territori i Alaskës. /Klankosova.tv
https://youtu.be/86Z8vaL0Xd4?si=eem2aOK9Rh7iUm9l