Lajmet e fundit

Mentor Nazarko - Analist politik nga Shqipëria[/caption]
“Kjo nuk është një ngjarje e cila është e parëndësishme për nga reputacioni ndërkombëtar. Kjo është një ngjarje e cila e rrit reputacionin ndërkombëtar të Shqipërisë. Është një ngjare e cila në pikëpamje organizative, pikëpamje të sigurisë dhe në pikëpamje të imazhit ndërkombëtar të Shqipërisë, e rrit shumë vlerën e saj. Kjo që po ndodh është për shkak të kontekstit dhe jo për shkak se Shqipëria është një vend aspirant, por për shkak se Shqipëria ka sot një reputacion ndërkombëtar relativisht të lartë ose më të lartin në historinë e saj sepse ka qenë edhe kryesuese e Këshillit të Sigurimit të OKB-së”.
Sipas tij, Shqipëria ka çelur negociatat për anëtarësim dhe ka dhënë disa shenja të besueshmërisë në raportet e saj me partnerët ndërkombëtarë siç është bashkëpunimi për luftën ndaj Iranit, ku Shqipëria më së fundmi ishte edhe viktimë e kësaj besnikërie.
“Në këtë kuptim duhet konsideruar si një ngjarje të rëndësishme në historinë ndërkombëtare të Shqipërisë. Nuk janë bërë të qarta se cilat do të jenë temat, por afër mendsh ky takim ka marrë karakter periodik, pra zhvillohet përgjithësisht në të njëjtën kohë. Do të duhet kuptuar që do të ketë vendime që lidhen së pari me vetë BE-në që me gjasë kanë të bëjnë me konfliktin Rusi-Ukrainë dhe pozicionet që merr BE-ja. Është një lloj testi për të ashtuquajturin Komunitet Politik Evropian ku bëjnë pjesë edhe vendet aspirante dhe nga ana tjetër synon që të japë idenë që integrimi evropian është ankorimi më i sigurt për vendet aspirante. Natyrisht se është një elozh për Shqipërinë, por edhe për kombin shqiptar - natyrisht edhe për qeverinë e cila e organizon dhe do të ketë angazhimin organizativ dhe logjistik. Imagjinoni që do të jetë kryeministri Edi Rama ai që do të jetë mikpritësi i gjithë këtyre burrështetasve të mëdhenj të Evropës”, deklaroi Nazarko.
Megjithëse ende nuk dihet saktësisht për temat që do të diskutohen në këtë takim, Nazarko thotë se mund të ofrohet edhe një lloj mbështetje në lidhje me liberalizimin e vizave për Kosovën.
“A mund të ketë ndonjë vendim tjetër që lidhet me Kosovën? Duhet të presim sepse nuk ka sinjale që e bëjnë të sigurt atë dhënien e liberalizimit të vizave, ngase kam parë ka kushtëzime ende, ndoshta mund të ketë ndonjë mbështetje për Këshillin e Evropës, megjithëse BE-ja në kuptim të drejtpërdrejt nuk ka lidhje me Këshillin e Evropës”.
Edhe profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Valon Murtezaj, thekson se mbajtja e samitit BE-BP në Tiranë tregon për një vëmendje të shtuar për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.
[caption id="attachment_1887519" align="alignnone" width="485"]
Valon Murtezaj - Profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare[/caption]
“Përcaktimi i Tiranës, Shqipërisë, si vend për mbajtjen e samitit të ardhshëm BE-Ballkani Perëndimor në dhjetor është padyshim gjest shumë i mirë dhe i duhur nga ana e Bashkimit Evropian. Kjo tregon për vëmendje të shtuar për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe siguri për perspektivën evropiane të të gjitha vendeve të rajonit”, thotë ai.
Sipas tij, në një takim të tillë flitet për të gjitha temat relevante të kohës që lidhen me vendet e Ballkanit Perëndimor, projektet aktuale dhe vizionin për të ardhmen evropiane të të gjashtë vendeve.
“Agjenda finale e takimit ende nuk është ndërtuar, prandaj është herët të konkludojmë se cilat janë pikat e takimit, por padyshim ajo do të përfshijë në mënyrë të gjithëmbarshme agjendën e integrimit të vendeve të rajonit në BE”, tha në fund profesori Murtezaj.
Organizimin e këtij samiti e ka përshëndetur edhe Partia Demokratike në Shqipëri. Kryetari i saj, Sali Berisha, megjithatë pati një thumbim për kryeministrin Rama rreth Ballkanit të Hapur.
“Ky vendim është një afirmim i ri i Bashkimit Evropian ndaj perspektivës evropiane të Shqipërisë dhe të gjitha vendeve të tjera të rajonit. Vendimi gjithashtu provon rëndësinë e madhe të Procesit të Berlinit për Shqipërinë e rajonin, dhe shënon fundin e aleancës përçarëse trilaterale Beograd-Tiranë- Shkup, në kuadrin e projektit serbo-rus të Ballkanit të Hapur”, thuhet në njoftimin e PD, publikuar në llogarinë në Facebook të kryetarit të saj, Sali Berisha.
“Samiti do të jetë një mundësi reale për shtetarët e BE-së, për të njohur nga afër situatën dramatike të korrupsionit galopant, lidhjeve të tmerrshme të qeveritarëve me krimin e organizuar dhe drogën, gjendjen tejet të rëndë të mediave në Shqipëri”, theksoi Berisha.
Ndërkaq, edhe ambasadorja e BE-së në Tiranë, Christiane Hohmann, tha se samiti që do të mbahet në Tiranë tregon rëndësinë e integrimit në BE të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
“Në fakt është hera e parë që samiti BE-Ballkani Perëndimor organizohet jashtë BE-së dhe vjen në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Kjo tregon dhe rëndësinë që ka për ne i gjithë rajoni dhe anëtarësimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE. Edhe puna që do të bëjnë këto vende drejt BE dhe për faktin që në Shqipëri do të vijnë në 6 dhjetor liderët e të gjithë vendeve”.
“Ju mund të dini se rreth 10 ditë më parë, KE-ja ka botuar raportin vjetor për të gjithë vendet e rajonit, përfshirë dhe Shqipërinë. Është raport që përfshin gjendjen e vendit. Për të gjithë ata që janë të interesuar, në raport një pjesë e rëndësishme ka të bëjë me sundimin e ligjit. Raporti është i qartë sa i përket konsolidimit dhe për të luftuar çështje si korrupsioni”, tha Hohmann.
Presidenti i Këshillit të Evropës, Charles Michel, nëpërmjet një postimi në “Twitter”, bëri të ditur se samiti i ardhshëm i BE-së me Ballkanin Perëndimor do të mbahet në Tiranë, më 6 dhjetor 2022.
Sipas tij, samiti në fjalë është riafirmim i angazhimit të përforcuar të BE-së për Ballkanin Perëndimor.
“Ne do të mbajmë samitin e ardhshëm të BE-së- Ballkani Perëndimor në rajon - më 6 dhjetor në Tiranë, Shqipëri, për të riafirmuar angazhimin tonë të përforcuar. Ballkani Perëndimor është një prioritet kyç për Bashkimin Evropian. BE-ja dhe Ballkani Perëndimor kanë nevojë për njëri-tjetrin”, shkroi Michel.
Samiti vjen në një moment kur Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë nisur negociatat për anëtarësim, ndërsa Kosova pret liberalizimin e vizave dhe Bosnje-Hercegovina pret statusin e vendit kandidat.
klankosova.tv