Drejtori i Departamentit të Gatishmërisë në Agjencinë e Menaxhimit Emergjent në Kosovë, Hajriz Sejdiu, ka treguar për sfidat që Kosova kalon në menaxhimin e situatave emergjente, njofton Klankosova.tv.
Duke qenë se ekspertët ndërkombëtarë kanë paralajmëruar që ky shekull do të jetë shekull fatkeq, sidomos dekada e ardhshme, Sejdiu tha në Sytë 7 në Klan Kosova se edhe Kosova duhet të përgatitet që të investojë më shumë në këtë fushë.
"Kjo fushë është e fuqishme aq sa investon shteti në të. Qeveritë e deritashme nuk kanë pasur prioritet këtë fushë, janë inetresu vetëm kur ka pasur fatkeqësi dhe aty është bërë njëlloj fushate deri sa ka zgjatur fatkeqësia ose deri sa ka qenë ende e freskët", ka thënë Sejdiu.
Sipas tij përvojat e shumta që kanë marrë nga që nga viti 2010 kur janë bërë pjesë e mekanizmit evropian të mbrojtjes civile në IPA, dhe pjesëmarrja në trajnime të ndryshme dhe në katër ushtrime ndërkombëtare, i kanë aftësuar goxha mirë në menaxhimin e emergjencave nacionale.
Sejdiu ka treguar se në kuadër të këtij departamenti është edhe, qendra e trajnimeve të integruara në Vushtrri ku trajnohen dhe certifikohen zjarrfikës, e të tjerë por edhe qytetarë në baza vullnetare, të cilët mund t'i ndjekin këto kurse dhe të aftësohen në menaxhimin e fatkeqësive natyrore dhe fatkeqësive të tjera.
Ai ka deklaruar se niveli lokal sipas ligjit për mbrojtje nga fatkeqësitë natyrore dhe fatkeqësitë tjera është përgjegjës për të menaxhuar çdo situatë që ndodh në nivelin lokal, sepse fatkeqësia godet në nivelin lokal. Andaj sipas Sejdiut këtu ka sfida administrative dhe ligjore pasi ligji për qeverisje lokale nuk e ka një drejtori për mbrojtje dhe shpëtim si obligative, prandaj ka komuna që e kanë këtë drejtori e ka komuna që nuk e kanë atë.
"Ta zëmë një komunë e vogël mund ta ketë një drejtori të tillë prej vullnetit të kryetarit kurse Prishtina nuk e ka një drejtori të tillë, e ka ni sektor brenda drejtorisë për shërbime publike dhe këtu qëndron ajo çështja ose sfida për nivelin lokal", ka shtuar Sejdiu.
Niveli lokal sipas ligjit sipas Sejdiut e ka për detyrë të menaxhojë situata të tilla derisa t'i shtjerrë resurset e veta e kur i shtjerr ato atëherë kërkon ndihmë nga AME-ja të cilët i ofrojnë mbështetjen qeveritare për ta menaxhuar situatën.
E për situatën e krijuar së fundi me helmimin në Deçan, ai potencoi se niveli lokal është vonuar në menaxhimin e kësaj situate.
"Ndoshta niveli lokal nuk e ka bërë kërkesën me kohë te niveli qendror dhe nuk ka qenë e qartë si kërkesë, por mediat e shndërruan në rast", ka thënë ai, njofton Klankosova.tv.
Ndiqeni intervistën e plotë në videon e mëposhtme deri në minutën e 17-të:
●●●
ASHKRIMI NGA
A.H
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.