Lajmet e fundit

Rusia po i evakuon banorët nga një rajon i dytë kufitar, ndërsa Ukraina vazhdon ofensivën e saj të papritur njëjavore brenda vendit.
Rreth 11,000 njerëz në rajonin e Belgorodit janë zhvendosur, raportojnë mediat shtetërore ruse, për shkak të "aksionit armik" pranë kufirit.
Belgorod shtrihet pranë Kurskut - ku trupat ukrainase filluan sulmin e tyre të befasishëm në territorin rus të martën e kaluar.
Forcat ukrainase që atëherë kanë avancuar deri në 30 kilometra brenda Rusisë - inkursioni më i thellë në vend që nga pushtimi në shkallë të plotë i Ukrainës nga Moska. Kievi pretendon se mijëra trupa janë të përfshirë.
Të hënën në mëngjes, banorëve në jug Belgorod, iu tha që të mos panikohen, por se duhet të evakuohen.
Guvernatori i Belgorodit, Vyacheslav Gladkov, tha se njerëzit nga rrethi Krasnaya Yaruga po zhvendoseshin për shkak të "aktivitetit të armikut në kufi".
Ai tha gjithashtu se i gjithë rajoni ishte nën një alarm rakete dhe u tha njerëzve të strehoheshin në bodrumet e tyre, shkruan BBC, transmeton Klankosova.tv.