Ka përfunduar për ditën e sotme dëshmia e ish-zyrtarit të lartë të ShBA-së James Rubin.
I ftuar nga mbrojtja e ish-presidentit Hashim Thaçi, ai iu përgjigj pyetjeve të mbrojtjes dhe të prokurorisë.
Për dëshminë e Rubinit, Haga i ka rezervuar 4 ditë.
Ish-ndihmëssekretari Amerikan pritet që dëshminë e tij ta vazhdojë edhe nesër.
Seanca pritet të nisë nga ora 09:00.
Rubin i cili sot dëshmoi në mbrojtje të katërshes së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ishte ndihmëssekretar i shtetit për çështjet publike dhe zëdhënës zyrtar gjatë administratës së Bill Clinton dhe sekretarit të shtetit Madeleine Albright. Ai ishte një nga figurat kyçe të politikës së jashtme të ShBA-së në fund të viteve ’90.
Ai luajti një rol të rëndësishëm në komunikimin e politikës amerikane gjatë luftës së Kosovës dhe ndërhyrjes së NATO-s në 1999.
Rubin ka vizituar shpesh rajonin dhe ka qenë një përkrahës i zgjidhjeve diplomatike për krizën në Kosovë dhe stabilitetin në rajon. Ka mbrojtur publikisht ndërhyrjen e NATO-s si të domosdoshme për ndalimin e spastrimit etnik nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit.
Klankosova.tv ju sjell si vijon gjithë zhvillimin e sotëm nga Haga.
Rubin: Hill ishte kundër UÇK-së, vazhdimisht donte ta dëmtonte figurën time
Ish-ndihmëssekretari Amerikan i Shtetit, James Rubin, se gjatë dëshmisë së tij në Hagë foli edhe për figurën e diplomatit Christopher Hill.
Rubin tha se Hill, ishte i anshëm dhe kundër UÇK-së.
Ai theksoi se vazhdimisht po tentonte që ta dëmtonte figurën e tij dhe figurën e sekretares Madeleine Albright.
“Christopher Hill ka qenë i anshëm dhe e kisha vënë re këtë. Ai nuk ishte i paanshëm dhe ishte në favor të LDK-së, kundër UÇK-së. Unë isha i paanshëm. Mua më është kërkuar më udhëheqësin e vetëshpallur të delegacioni. Chris Hill në mënyrë shumë të pamatur ka qenë i anshëm. Është përpjekur të më dëmtoj figurën mua dhe dëmtojë sekretaren Albright duke u thënë se ajo kishte influencuar drejtuesin e delegacionit të UÇK-së në Rambuje dhe në fakt ne e kishim vetëm një objektiv që deshëm ta arrinim atje”, deklaroi ai gjatë dëshmisë së tij.
Ish-zyrtari i lartë i ShBA-së shtoi se Christopher Hill ishte personi që i dëmtoi bisedimet atje dhe ishte shkaku që nuk e morën “PO-në” nga UÇK-ja për marrëveshje.
Kjo deklaratë erdhi pasi prokurori James Pace, ia lexoi atij një deklaratë të Christopher Hillit, ku ky i fundit kishte thënë se Rubin e udhëzonte Thaçin edhe çfarë kostumi dhe kravate të veshte.
Rubin: Nuk kisha dijeni për publikimin e emrave të UÇK-së në gusht 1998
Ish-zyrtari i lartë amerikan James Rubin, gjatë dhënies së dëshmisë së tij, u pyet nga një prokuror nëse ishte i informuar për publikimin e emrave të përfaqësuesve politikë të UÇK-së gjatë gushtit 1998, duke përfshirë Jakup Krasniqin, Hashim Thaçin, Xhavit Halitin, Bardhyl Mahmutin dhe Sokol Bashotën.
Ai u përgjigj se nuk kishte qenë në dijeni për këtë dokument në atë kohë.
Më pas, prokurori e pyeti nëse kishte dijeni për takimin mes Shawn Burnes, i cili udhëhoqi Misionin Diplomatik të SHBA-së për Kosovën, dhe përfaqësuesve të UÇK-së më 1998.
“Me aq sa më kujtohet, nuk e kam njohur Hashim Thaçin para Konferencës së Rambujesë, më 1999”, tha Rubin.
Ish-ndihmëssekretari e ShBA-së shtoi se tashmë kanë kaluar 27 vjet nga ajo kohë./ Klankosova.tv.
“Ishte i shqetësuar për popullin e tij”, Rubin tregon si Krasniqi kërkoi dërgimin e trupave tokësore
Ish-zyrtari i lartë amerikan, James Rubin zbuloi momentin kur Jakup Krasniqi, i kishte kërkuar Amerikës dërgimin e trupave tokësor.
Rubin tha se ai ishte një moment shumë i dhimbshëm gjatë luftës, pasi në atë kohë, Amerika nuk ishte e përgatitur për dërgimin e trupave tokësor.
“Mund të ketë qenë aty (Jakup Krasniqi, takimi në Bruksel gjatë vitit 1999), më kujtohet takimi me të, sepse ishte moment i dhimbshëm gjatë luftës. Krasniqi na kërkonte gjëra për të cilat ne nuk ishim të përgatitur, përshembull dërgimin e trupave tokësore, ne sqaruam që ishim gati të bënim, por edhe gjëra që nuk mund të bënim, pra ishte një moment i ndjeshëm. E kuptuam që ai po na transmetonte formalisht kërkesat e udhëheqësve të UÇK-së dhe të Kosovës, neve Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.
“Kishim të njëjtin shqetësim, për të shpëtuar njerëzit, ishte kjo mënyra e vetme që ta mposhtnim Millosheviqin dhe kjo ndodhi disa javë më vonë, por gjatë atyre javëve ai ishte i shqetësuar për popullin e tij. Kuptuam që njerëzit po iknin në masë të madhe në gjithë botën dhe ne donim t’i ndihmonim ata, por nuk ishim të gatshëm të dërgonim trupa në terren”.
“Ky moment i ndjeshëm, pra ishte si të mposhtej Millosheviqi, kishte njerëz në pjesë të ndryshme të botës, përfshirë UÇK-ja që donin ndërhyrjen nga ajri dhe toka që ishte e ndjeshme, pasi nuk ishim të gatshëm. Shqetësimi i popullit të Kosovës, theksuam se nëse Amerika dërgonte trupa, lufta do të ndalonte më shpejt, dhe njerëzit do të dëmtoheshin më pak, por nuk mund t’i përgjigjeshim kësaj kërkese asokohe”, u shpreh Rubin, njofton Klankosova.tv.
Rubin: Serbët gjithmonë janë përpjekur ta fajësojnë UÇK-në
Ka rinisur seanca e dëshmisë së James Rubin, në Gjykatën Speciale.
Para trupit gjykues, ish-diplomati amerikan tha se serbët gjithmonë janë përpjekur të fajësojnë UÇK-në, pra Qeveria serbe.
“Serbët ishin të përfshirë në operacionin për të fshehur provat, absolutisht që po. Karakteristikë që kemi parë në Bosnjë, dhe kemi parë përsëri në Kosovë. Ata gjithmonë janë përpjekur të fajësojnë UÇK-në, pra qeveria serbe. Kjo është mënyra që janë përpjekur ta justifikojnë atë që po bënin duke hedhur fajin mbi të tjerët”, deklaroi Rubin, njofton Klankosova.tv.
Rubin: S’kemi gjetur asnjë provë se drejtuesit e UÇK-së donin të ekzekutonin njerëz
Ish-zyrtari i lartë amerikan, James Rubin po vazhdon dëshminë e tij në Hagë, kësaj radhe duke u pyetur për pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
I pyetur nëse Jakup Krasniqi, Shukri Buja dhe Sokol Bashota ishin të moderuar në UÇK, Rubin u përgjigj me “po”, transmeton Klankosova.tv.
Ndër të tjera ai tha se personat që ishin kundër Rambujes, sipas tij ishin të gatshëm të masakronin mijëra njerëz.
“Por nga ana tjetër kishim persona të moderuar si Thaçi e Krasniqi që ishin të gatshëm të nëshkruanin Marrëveshjen e Rambujesë. Mirë që nuk i dëgjuan fjalët e ekstremistëve”, u shpreh tutje ish-diplomati.
Ndër të tjera, Rubin thotë se nuk kanë gjetur asnjë provë se katërshja e UÇK-së, e as drejtues të tjerë të ushtrisë, donin të ekzekutonin apo të vrisnin njerëz .
Rubin: Qëllimi i ndërhyrjes ndërkombëtare ishte të mbroheshin civilët
Ish-zyrtari i lartë Amerikan, James Rubin, po e jep dëshminë e tij në Hagë i ftuar nga mbrojtja e ish-presidentit Hashim Thaçi.
Përveç avokatit të Thaçit, Luka Misheviq, ai u pyet edhe nga avokati i Kadri Veselit, rreth arsyetimit të tij për ndërhyrjen ndërkombëtare në Kosovë.
Ish-ndihmëssekretari amerikan, deklaroi se pas Bosnjës, ku ndodhën krime të tmerrshme, qëllimi ishte të mbroheshin civilët dhe të parandalohej përsëritja e atij tmerri.
Rubin theksoi se shqiptarët e Kosovës po vriteshin vetëm pse ishin shqiptarë.
“Donim të ishim në anën e viktimave. Ata, jo vetëm që ishin të shtypur, por po masakroheshin”, tha Rubin.
“Synimi ishte që njerëzit të ishin të lirë dhe të mos ndiqnin politikat e shtypësit të tyre”, shtoi ai.
Rubin: Albright i kërkoi Thaçit të tregonte tolerancë
Ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin, në dëshminë e tij u pyet nga avokati i Thaçit, nëse i kujtohej që ish sekretarja amerikane e Shtetit, Madeleine Albright, i kishte thënë Thaçit se do të mbante përgjegjësi penale për krimet që mund të kryheshin në Kosovë, pas hyrjes së KFOR-it.
Rubin tha se nuk i kujtohet një gjë e tillë, ndërsa shtoi se qëllimi i Albright ishte që të ndëshkoheshin individët përgjegjës për dhunën dhe të mos lejohej fajësimi kolektiv
Tutje, shtoi se Albright i kishte kërkuar Thaçit të tregonte tolerancë. /Klankosova.tv
Rubin: Për Thaçin, SHBA-ja ishte simbol i fuqisë
Rubin tha se marrëdhëniet e Thaçit me Shtetet e Bashkuara ishin të veçanta dhe të një rëndësie të jashtëzakonshme për të.
Ai theksoi se që nga takimi i parë, kishte krijuar përshtypjen se Thaçi e shihte Amerikën si simbol të fuqisë dhe si pasqyrim të asaj që ai e konsideronte si shtet i fortë dhe i besueshëm.
“Sipas meje, prioriteti i tij më i madh ishte të kishte mbështetjen e udhëheqjes amerikane”, tha Rubin gjatë dëshmisë së tij.
Ai nënvizoi se, në asnjë moment, nuk kishte vërejtur te Thaçi ndonjë sjellje apo qasje që do të rrezikonte këtë mbështetje.
“Jo, Thaçi gjithmonë dëshironte të sigurohej që Amerika do të qëndronte në krah të tij dhe të Kosovës”, shtoi Rubin.
“Unë e di që ti e din që s’mund ta kontrollosh UÇK-në”, Thaçi i buzëqeshur kur lexohet deklarata e Biden për të
Sot në Hagë po dëshmon ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin, i cili është ftuar nga mbrojtja e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.
Gjatë dëshmisë, atij iu prezantua një dokument i Komitetit për Punë të Jashtme i Senatit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku atëherë Hashim Thaçi, si 29 vjeçar ishte takuar me Joe Biden, i cili atë kohë kishte funksionin e senatorit.
Në këtë dokument, përshkruhet edhe një pjesë e bisedës mes Thaçit dhe Bidenit, ku ky i fundit i kishte dhënë disa këshilla, transmeton Klankosova.tv
“Z. Thaçi më tha: Ti ke qenë 29 vjeçar kur e ke marrë detyrën, ashtu siç jam edhe unë tani, a keni ndonjë këshillë? Meqë po më pyesni, atëherë po ua them menjëherë mirëpo jemi në rrethana të ndryshme. Cila është këshilla juaj, më tha z.Thaçi. Këshilla e parë: Mos e merr veten shumë seriozisht? Këshilla e dytë: Edhe unë e di, që ti e di që s’mund ta kontrollosh UÇK-në”, thuhet në pjesën e dokumentit që përshkruante bisedën mes dyve”, njofton Klankosova.tv.
“Në Kosovë dërgohesha në male”, Rubin flet për takimet me Thaçin dhe komandantët e UÇK-së
Ish-zyrtari i lartë amerikan, James Rubin, ka treguar për sa kohë ka qëndruar në Kosovë dhe ku i zhvillonte takimet me Hashim Thaçin.
Para trupit gjykues, ai tha se ishte Madeleine Albright ajo që i kërkoi të ndalonte së bëri çdo gjë dhe të nisej për në Kosovë.
“Unë isha zëdhënësi i Zonjës Albright. Po punoja për çështjet e Kinës dhe Rusisë, dhe ajo më tha “ndalo së bëri çdo gjë që ti po bën dhe duhet të shkosh në Kosovë, që ta ndihmosh Mike Jackson që të realizojë betimet e veta”.
Më tej, Rubin tregoi se qëndronte në një hotel në Shkup, ndërsa dërgohej për takime në malet e Kosovës.
“Nuk më kujtohet ekzaktësisht, por mbase 3 ose 4 ditë. Nuk kam qëndruar në Kosovë në fakt, por në një hotel në Shkup, në Maqedoni, dhe çdo mëngjes dërgohesha përmes mjeteve të posaçme në male për t’u takuar me Hashim Thaçin dhe komandantët faktikë të UÇK-së, pra çdo ditë më çonin dhe më merrnin nga aty”, deklaroi ai, njofton Klankosova.tv.
Rubin: “Hashimi ishte 30-vjeçar, ishte fytyra e UÇK-së, por komandantët e zonave i tregonin çfarë të bënte”
James Rubin ka vazhduar dëshminë në Hagë, duke u deklaruar edhe për marrëveshjen për demilitarizimin e UÇK-së.
Në fund të qershorit të vitit 1999, Rubin tha se ishte në Kosovë për të mbështetur procesin, në kohën kur lufta po afrohej drejt fundit.
Ndër të tjera, ai foli për marrëdhënien e Thaçit me komandantët e UÇK-së.
“Kjo ishte negociatë e pazakontë për shkak të vendimmarrjes së palës tjetër. Ne duhet të pasqyronim pikëpamjet e të gjithë anëtarëve të NATO-s dhe të botës që merrnin pjesë në KFOR. Pas nesh kishim shumë shtete që duhet të përfaqësonim.
Dhe nga ana tjetër kishim strukturën e UÇK-së që nuk e kuptonim shumë mirë. Ajo që po kërkonim ne ishte demilitarizimi i UÇK-së. Hashimi ishte shumë i ri, 30 vjeçar, personat e tjerë, komandantët ishin të vjetër, ai nuk ishte person përgjegjës, nuk kishte njohuritë, apo kompetencën për të marrë vendime.
Ajo që kishte ai ishte dëshira për të nënshkruar marrëveshjen, unë këtë e përktheva si një lloj roli të ministrit të jashtëm. Rol politik.
Sa i takon ndryshimit të fjalëve, është bërë nga komandantët në bashkëpunim me britanikët. Ajo që bënte ai ishte person që ishte fytyra e UÇK-së, rol të ngjashëm me atë të ministrit të jashtëm, atë që Albright do ta bënte sikur të ishte një situatë të tillë.” /Klankosova.tv
“E pashë me sytë e mi”, Rubin i qartë në Hagë: Thaçi s’kishte kompetenca për vendime brenda UÇK-së
James Rubin po vazhdon dëshminë në Hagë, derisa u deklarua për rolin e Hashim Thaçit në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
Sipas tij, Thaçi nuk mund të ndërmerrte vendime për UÇK-në, por sipas tij, ai merrte urdhër nga komandantët e tjerë, transmeton Klankosova.tv.
“Ndonjëherë Hashim Thaçi na jepte pikëpamjet e fundit të tyre, ne i shikonim, dhe binim dakord në diçka, në diçka. Por ishte e ditur për mua që ai nuk e kishte kompetenca për të marrë vendime brenda UÇK-së, ato ishin çështje të personave të tjerë. Ai ishte fytyra e UÇK-së. Me fjalë të tjera ishte përfaqësia e UÇK-së”, u shpreh Rubin.
“Unë jam takuar me komandantët, dhe kam parë me sytë e mi marrëdhënien e këtyre komandantëve me Hashimin, ata i thanë atij çfarë të bënte, pra nuk i thoshte Hashimi çfarë të bënin por komandantët i thoshin Hashimit se çfarë të bënte”, tha tutje ai.
Rubin në Hagë: Fati i 1 milion kosovarëve, situata më e rëndë e jetës sime
Ish-zyrtari i lartë amerikan, James Rubin duke vazhduar me dëshminë e tij në Hagë pro-Thaçit dhe të tjerëve, tha se situata më e vështirë gjatës jetës së tij, ishte fati i 1 milion personave.
Në sallën e gjyqit, para trupit gjykues, Rubin vazhdoi duke treguar se asokohe nëse Kosova do ta përqafonte perëndimin, perëndimi do të ishte pro tyre, dhe siç tha ai, përndryshe do të kishte masakër. Kjo sipas tij, krijoi një situatë të tensionuar.
“Ka qenë një mjedis me shumë presion, kam qenë në mjedise të ngjashme në jetën time lidhur me shumë aspekte. Situata më e vështirë që më kujtohet ishte fati i 1 milion personave, ishte fjala nëse lëvizja kosovare, nëse ata do të përqafonin perëndimin, perëndimi do të ishte pro tyre, përndryshe do të kishte masakërs, ne kishim parashikuar masakër, kjo krijoi një situatë të tensionuar. Përshtypja ime asokohe ishte që ai ishte një person që ishte caktuar të komunikonte me ne nga udhëheqja kosovare. Ne nuk e kishim kuptuar mirë si funksiononte struktura udhëheqëse”.
“Ai (Thaçi) nuk kishte mundësi të diktonte asgjë, por pasqyronte vendimet që merreshin nga ajo zyra (brenda UÇK-së) dikur e fshehur e udhëheqjes shqiptare që merrnin vendime në grup, që nuk ishin gjithmonë të pranishëm, ai duhet të merrte leje prej tyre. Nuk ishte në gjendje të diktonte rregulla dhe kushte, kur ne donim të bënim diçka të rëndësishme ai komunikonte me persona të tjerë”, tha Rubin, njofton Klankosova.tv.
Rubin ritheksoi se Thaçi asokohe nuk merrte vendime, thjesht pasqyronte vendimmarrjen.
“Kishte persona që unë i quaja ekstremistë, dhe vendosnin në rrezik popullin e tyre. Kishte persona që ishin më praktikë, si ishte Hashim Thaçi. Iu thamë do ta keni pavarësinë por fillimisht shpëtoni popullin. Për pushtetin Thaçit, ishte që ai thjesht mund të pasqyronte vendimmarrjen. Ai më pas mund të vinte dhe t’i bashkohej pjesës tjetër të grupit. Ai ishte thjesht një pasqyrim i udhëheqjes, por jo personi përgjegjës në atë lëvizje”, tha më tej ai.
“Pavarësia e Kosovës ishte e mbështetur, por nuk ua thamë shqiptarëve”
Gjatë dëshmisë së tij në Hagë, ish-zyrtari i lartë amerikan, James Rubin tha se udhëheqësve të UÇK-së u bënin thirrje të bashkëpunonin në mënyrë që të arrihej Pavarësia e Kosovës.
Ai u shpreh se shqiptarëve nuk iu bë me dije që amerikanët dhe britanikët përkrahnin pavarësinë e vendit, pasi sipas tij, një gjë e tillë nuk pranohej ende nga ndërkombëtarët si shkak i mos-themelimit të qeverisë së Kosovës, transmeton Klankosova.tv.
“Ne, kur themi ne jemi bashkë me Mbretërinë e Bashkuar, kryeministri Blair bashkëpunonte me Clintonin dhe Albright. Ata po na e bënin më të lehtë. Prandaj ne ju bënim thirrje punoni së bashku, por nuk deshëm të ia bënim të ditur se mbështesnim pavarësinë, nuk donim të thoshim se jeni komb ii pavarur, sepse vendi nuk kishte qeveri, ndërkombëtarët nuk e pranonin”, u shpreh Rubin.
“Pa fjalën pavarësi, do të ishte tradhtar”, Rubin tregon se si Thaçi e refuzoi nënshkrimin e marrëveshjes
James Rubin po vazhdon dëshminë në Hagë dhe tashmë po deklarohet për Konferencën e Rambujesë.
Ai tha se gjatë konferencës, Thaçi i shprehu shqetësimet e tij se nuk kishte autoritet të plotë për të nënshkruar marrëveshjen në emër të UÇK-së.
Rubin tregoi se sekretarja Albright i kishte thënë Thaçit se lidershipi duhet të marrë vendime të vështira dhe se pa pranimin e tyre nuk do të kishte mbështetje nga Perëndimi.
“Thaçi tha se i vinte keq, por përgjigjja e tij ishte jo”, shtoi Rubin, duke shpjeguar se ish-presidenti ishte nën presion nga komandantët e UÇK-së dhe nga financuesit evropianë.
Rubin përmendi se qëllimi i negociatave ishte të gjendej një kompromis që të mund të vazhdohej në fazën tjetër, pa bërë deklarata specifike për pavarësinë e Kosovës.
Por për Thaçin, tha Rubin, nënshkrimi i ndonjë deklarate që s’e specifikonte pavarësinë, do të konsiderohej tradhti.
“Ne nuk kishim ende ndonjë qëndrim të qartë sa i takon pavarësisë. Neve na duhej një kompromis që të kalonim në fazën tjetër”, tha Rubin.
“Thaçi kishte rol politik, por jo kompetenca. Atij i kishin thënë se nëse nuk e përmend pavarësinë, do të ishte tradhtar”, shtoi ai, raporton REL. /Klankosova.tv
Rubin: Ata që kërkonin Pavarësinë e Kosovës, donin gjithçka
Ish-zyrtari i lartë amerikan, James Rubin, po vazhdon dëshminë në Gjykatën Speciale pas pauzës 10 minutëshe.
Ai tash foli për arritjen e marrëveshjes së paqes në Kosovë, për të cilën tha se ishte shumë e vështirë.
“Të kishim gjithë botën në anën tonë, që ta mbushnim mendjen serbe që të arrihet marrëveshja e paqes”, u shpreh ai.
Sa i përket Pavarësisë së Kosovës, Rubin u shpreh se ata që e donin këtë, në fakt donin gjithçka.
“Personat që kërkonin Pavarësinë e Kosovës, ishin maksimalist, donin gjithçka, ne mundoheshim të gjenim një të mesme të artë”, tha ai.
Ndër të tjera, James Rubin u shpreh se amerikanët u përpoqën të nxirrnin një mes të mirë për të gjithë.
Dëshmia e James Rubin – trupi gjykues shkon në pauzë
Ish-zyrtari i lartë amerikan, James Rubin po jep dëshminë e tij në Hagë, i thirrur nga mbrojtja e Hashim Thaçit.
Përderisa dëshmia e tij zgjati rreth një orë, trupi gjykues ka kërkuar pauzë 10-minutëshe, për t’u kthyer sërish në sallë, transmeton Klankosova.tv.
Ndaj Rubinit u kërkua që të mos fliste me askënd rreth dëshmisë së tij.
A i refuzoi UÇK-ja propozimet e Albright? – Flet James Rubin
Rubin, në dëshminë e tij në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, foli edhe rreth artikullit të “The New York Times” të vitit 1999-ës, ku thuhej se UÇK-ja kishte refuzuar propozimet e sekretares tashmë të ndjerë, Madeline Albright.
“Më kujtohet që kishte marr përshtypje nga kjo, jo biseda. Domethënë nuk është gjithmonë e saktë. Ndoshta e ka ekzagjeruar atë [artikullin]”, u shpreh Rubin, transmeton Klankosova.tv.
Derisa sipas artikullit, Hashim Thaçi dinte të fliste në gjuhën serbe, për këtë, ish-zyrtari i lartë amerikan tha se nuk dinte një gjë të tillë.
“Unë e dija që nuk fliste në gjuhën angleze”, u shpreh Rubin.
Takimi Rubin-Thaçi në Rambuje: U mundova ta ndihmoj në arritjen e vendimit të duhur
Ish-zyrtari i lartë amerikan, James Rubin, gjatë dëshmisë së tij në Hagë zbuloi se ish-presidenti Ibrahim Rugova kishte thënë se Kosova duhet të ketë sovranitetin së pari, e pastaj integrimin në Bashkësinë Ndërkombëtare më vonë.
“Shqiptarët e Kosovës kërkojnë pavarësi, por së pari siguri”, tha Rubin duke cituar fjalët e Rugovës, transmeton Klankosova.tv.
James Rubin poashtu tha se mikja e Kosovës, Madeline Albright kishte inkurajuar ushtarët e UÇK-së të themelonin parti politike.
Rreth artikullit për Thaçin të Rubin në “The Financial Times”, ai thotë se është i lumtur që e ka shkruar në atë mënyrë.
“Uroj të jeni Gary Adams i Kosovës”, kështu e kishte uruar Albright, Rubinin, i cili thotë se në atë kohë nuk kishte takuar ende pjesëtarë të UÇK-së, derisa shtoi se për të ushtria e Kosovës në atë kohë ishte shumë e vogël për ta.
“Ajo po përpiqej paqen në Rambuje, ta ndalonte luftën. Ajo po përpiqej të bënin të kuptonin që nuk fitohet çmimi Nobel kështu, por paqja. Sepse njerëzit po transformoheshin”, u shpreh ish-zyrtari amerikan.
Se si kishte ndërvepruar me Thaçin në Rambuje, Rubin thotë se ish-presidenti e njohu menjëherë.
“Ai më njohu. Në ato ditë shpreheshin fizikisht, të kapnin dorën, Zonja Albright e vërejti, më tha ‘James fol me të, njohu me të’, sepse unë nuk e njihja. Ne donim të dinim më shumë se kush ishte udhëheqësi i delegacionit. Ne donim të ishim në favor të marrëveshjes së paqes. Më tha të njihem me të, ta ndihmojë në arritjen e marrëveshjes së duhur. Kështu bëra, qëndrova me të për dy javë, kemi ngrënë bashkë, pinim bashkë jashtë”, tha ai.
Rubin shton se në atë kohë Thaçi nuk ka folur në gjuhën angleze, e që sipas tij ata komunikonin me gjuhën e trupit, derisa për çështje diplomatike, flisnim me përkthyes.
Rubin: Përpjekja për të parandaluar një masakër masive të shqiptarëve të Kosovës ishte e madhe
Ish-ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, James Rubin në dëshminë e tij në Hagë pro-Thaçit dhe të tjerëve, tha se përpjekja për të sjellë paqen dhe për të parandaluar një masakër masive të shqiptarëve të Kosovës, ishte e madhe.
Ai tha se nuk ishte i sigurt pse Hashim Thaçi ishte zgjedhur përfaqësues i shqiptarëve të Kosovës, megjithëse shtoi se ai ishte zgjedhur, transmeton Klankosova.tv.
Rubin për takimin me Thaçin pas luftës: Nga një djalë që punonte në vështirësi, ishte bërë kryeministër
Ish-ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, James Rubin në dëshminë e tij në Hagë pro-Thaçit dhe të tjerëve, tha se është takuar me udhëheqës të Kosovës gjatë luftërave në fillim të viteve të 90-ta në Ballkanin Perëndimor.
Gjatë asaj kohe, ai tha se në Prishtinë ishte takuar dy ose tri herë me ish-presidentin Ibrahim Rugova, dhe me shqiptarë të tjerë, transmeton Klankosova.tv.
Rubin thotë se në vitin 1991-1992 ai dhe Madeline Albright kishin mendime të ngjashme, për të depërshkallëzuar tensionet në Ballkan, rrjedhimisht edhe në Kosovë.
“Ishe kauzë shumë e rëndësishme”, tha tutje ai.
James Rubin po ashtu deklaroi se kishte gisht në themelimin e Tribulanit të Kombeve të Bashkuara për ish-Jugosllavinë.
Ai pohoi po ashtu se ishte i përfshirë në Marrëveshjen e Rambujesë me delegacionin shqiptar.
Rubin po ashtu tha se ka pasur ndërveprim me Thaçin në vitin 2000.
“Më kujtohet takimi i parë me Thaçin, ishte kohë e vështirë, nuk kishte ndonjë pushtet. Herën e parë pas publikimit të këtij artikulli, jemi takuar në Nju Jork pasi ishte bërë kryeministër. Unë u habita shumë, sepse ai kishte kaluar nga nja djalë i ri që punonte në rrethana të vështira, dhe ishte bërë kryeministër. Pra kishin kaluar katër-pesë vite. Hera e fundit që jemi takuar ka qenë rreth vitit 2018, kur po punoja në Uashington”, tha Rubin.
Nis dëshmia e James Rubin në Hagë
Ish-ndihmësi i Sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin, ka nisur dëshminë para Gjykatës Speciale si dëshmitar i mbrojtjes së ish-drejtuesve të UÇK-së.
Lidhur me dëshminë e tij në Hagë, Rubin e kishte bërë vet të ditur lajmin në një episod të emisionit “Dosje të mëparshme” me gazetaren e CNN, Christiane Amanpour, transmeton Klankosova.tv.
Ai ka deklaruar se ka shumë për të thënë rreth luftës në Kosovë.
“Do të jem në Evropë, sepse javën e ardhshme do të jap dëshmi në Tribunalin Special për krime lufte në Kosovë dhe si dikush që ishte i dobishëm për Madeleine Albright dhe në themelimin e Tribunalit fillestar për Krime Lufte, do të kthehem në të kaluarën dhe kam më shumë për të thënë për këtë”, ka deklaruar ai.
“Pse s’e keni përcjell gjykimin? – Gazetarja e Klanit e zë ngushtë ambasadorin e Kosovës në Holandë
Ambasadori i Kosovës në Holandë, Dren Doli i pyetur nga gazetarja e Klan Kosovës, Rina Mujku, se pse nuk ka qenë i pranishëm në seancat e gjykimit të katërshes së UÇK-së, ai tha se ato i ka përcjellë në formën online.
Derisa Mujku e pyeti gjithashtu se pse nuk kanë kthyer përgjigje për kritikat që kanë marrë lidhur me mos-përcjelljen e këtij procesi gjyqësor, transmeton Klankosova.tv.
Megjithatë, sipas tij gjykimi i ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës përcillet nga ambasada e Kosovës në Holandë përherë.
Naser Thaçi e Bekim Geci nuk pranohen të marrin pjesë në Gjykatë
Naser Thaçi dhe Bekim Geci edhe pse me konfirmim nuk janë pranuar të marrin pjesë në gjykimin që pritet të mbahet sot në Hagë.
Kështu bëri të ditur gazetarja e Klan Kosovës, Rina Mujku e cila po raporton nga vendi i ngjarjes.
Naser Thaçi është po ashtu edhe familjar i ish-presidentit Hashim Thaçi.
Avokati i Thaçit: Sot kuptohet se çfarë me të vërtetë ka ndodhur në Kosovë në vitin 1999
Avokati i ish-presidentit Hashim Thaçi, Pierre Richard Prosper pak para nisjes së seancës ku do të dëshmojë ish-diplomati, James Rubin, tha se Thaçi është falënderues ndaj të gjithëve që po e përkrahin në këtë proces.
Në një prononcim për gazetaren e Klan Kosovës, Rina Mujku, Prosper tha se tani është koha që do të zbulohet e vërteta e Kosovës e vitit 1999, transmeton Klankosova.tv.
“Presidenti falënderon të gjithë që po e përkrahin në këtë proces. Jemi entuziast për sot, që do të na jep një shans që të kthehemi në realitet, do të kemi një shans që të tregojmë të vërtetën se çfarë me të vërtetë ka ndodhur në Kosovë në vitin 1999. Do të jetë fillimi i ri ku ju mund të shihni prova të reja që do të tregohen që presidenti nuk është përgjegjës për akuzat që i janë bërë”, tha avokati.
“Ne kemi qenë të suksesshëm dhe do të vazhdojmë të jemi të suksesshëm”, tha ndër të tjera ai për Mujkun.
Familjarët e Veselit arrijnë te gjykata
Ish-ndihmësi i Sekretarit Amerikan të Shtetit, James Rubin, pritet ta nisë sot dëshminë e tij para Gjykatës Speciale, në mbështetje të mbrojtjes së ish-krerëve të UÇK-së.
Me rastin e kësaj dite, pranë gjykatës tashmë kanë arritur edhe familjarët e Kadri Veselit.
Gazetarja e Klan Kosovës, Rina Mujku e cila po përcjell nga afër zhvillimet në Hagë, ka dërguar fotografi nga vendi i ngjarjes.
Në foto shihet djali i Kadri Veselit, Klestori dhe familjarët e tjerë.
https://www.youtube.com/watch?v=1fV_FnZOONo