Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) ka ngritur të mërkurën aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë - Departamentin Special, kundër dhjetë (10) të pandehurve me inicialet B.R. V.B. Z.A. J.A. E.M. B.D. N.P. G.M. I.B dhe M.G.
Sipas njoftimit, thuhet se të pandehurit e lartcekur në cilësinë e personave zyrtarë, në bashkëkryerje duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar, si dhe duke tejkaluar kompetencat e tyre ligjore, me dashje vepruan në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit, Ligjin për ndarjet buxhetore të vitit 2019, Ligjin për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësitë, si dhe me aktet tjera ligjore dhe nën ligjore.
“Me këto veprime të pandehurit B.R. V.B. Z.A. J.A. E.M. B.D. N.P. G.M. I.B dhe M.G. në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale ’Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’”, thotë PSRK-ja, raporton Klankosova.tv.
Ndërkaq, e pandehura V.B., sipas PSRK-së, akuzohet edhe për veprën penale “Falsifikimi i dokumentit zyrtar”.
Gazeta online “Reporteri” ka njoftuar se 7 nga 10 personat ndaj të cilëve është ngritur sot aktakuza, janë: Izedin Bytyqi, Betim Reçica, Valmira Bllaca, Muhamet Gashi, Zymer Abdullahu, Jetmir Alaj, Emir Morina, Nuhi Paçarizi, Goran Milenkoviq dhe Blerim Dina.
Më poshtë janë pozitat që ata kishin ushtruar në kohën për të cilën është ngritur aktakuza:
Izedin Bytyqi, ish-sekretar në Ministrinë e Infrastrukturës;
Muhamet Gashi, ish-zv.ministër i Infrastrukturës në Qeverinë Hoti;
Betim Reçica, ish-sekretar në Ministrinë e Infrastrukturës;
Valmira Bllaca, ish u.d e drejtoreshës së Divizonit të Prokurimit në Ministrinë e Infrastrukturës;
Zymer Abdullahu, ish-sekretar në Ministrinë e Infrastrukturës;
Jetmir Alaj, gjithashtu ishte pjesë e Ministrisë së Infrastrukturës;
Blerim Dina, ish-kryetar i Organit Shqyrtues të Prokurorimit Publik (OSHP);
Goran Bilenkoviq, ish-anëtar i Bordit të OSHP-së;
Nuhi Paçarizi, ish-anëtar i Bordit të OSHP-së;
Hysen Durmishi, zëvendësministër i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI), ka folur lidhur me ngritjen e aktakuzës për korrupsion ndaj 10 zyrtarëve të kësaj ministrie, duke thënë se çështja ka të bëjë me projektin e rrugës Prizren-Prevallë.
“Po, kjo ka të bëjë me një rast të vitit 2019 që ka të bëjë, me sa e di unë, me rrugën Prizren-Prevallë, domethënë është ish-sekretari, ish-shefja e prokurimit, janë disa të bordit të OSHP-së aty, janë komisioni vlerësues…”, ka thënë Durmishi në një prononcim për “Betimi për Drejtësi”.
I njëjti ka thënë se lidhur me këtë çështje ka diskutuar disa herë në publik, duke e konsideruar si rast flagrant me të cilën është dashur të merret Prokuroria, andaj shtoi se “Ma në fund e paskan ngrit një aktakuzë, e që nuk e kom pa aktakuzën, nuk e di çka ka”.
Ishte emisioni ALIBI i transmetuar në Klan Kosova, i cili e kishte zbuluar skandalin për çka është ngritur sot aktakuza dhe më 01.12.2020 e kishte trajtuar këtë rast.
https://www.youtube.com/watch?v=fjAlp8R2GRY
Rasti ka të bëjë me rrugën Prizren-Prevallë.
Në vitin 2020 kishte nisur rindërtimi i rrugës gjarpërore që dërgon për në bjeshkët e Prevallës, një nga vendet me të bukura të Kosovës.
Dy kompani që ishin shpërblyer me tender, “Ekskavatori” dhe “Papenburg& Ardiani”, në heshtje kishin nisur punën e tyre, ani se 1 milion e 250 mijë eurot e dedikuara për to ishin avulluar nga Thesari i Shteti.
Ministria e Infrastrukturës nuk pati dhënë asokohe shumë detaje për kontratën e nënshkruar më 3 dhe 4 shtator të 2020, e të cilat në fakt nuk mbanin nënshkrimin e kreut të saj në atë kohë, Arban Abrashi, por në vendin e tij ka nënshkruar zëvendësministrit Muhamet Gashi.
Kjo pasi i pari i Infrastrukturës atëkohë ndodhej në Uashington, nga ku edhe doli marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë që kryesisht kishte të bënte më marrëveshje infrastrukturore.
Burime të emisionit ALIB patën konfirmuar se kontrata ishte është nënshkruar nën presionin e kërkesave të AAK-së për prishje të koalicionit në ditën kur Kosova po pritej të nënshkruante marrëveshjen me Serbinë në Shtëpinë e Bardhë, raporton Klankosova.tv.
Sidoqoftë, kontrata nga zyrtarja e prokurimit Valmira Bllaca, ishte nënshkruar muaj para shtatorit, në fakt më 23 qershor.
Sipas informacioneve interne, dy ministra, ai i kaluari Lumir Abdixhiku dhe Arban Abrashi që mbante postin e ministrit në kohën kur u nënshkruan kontratat, kishin refuzuar të hidhnin nënshkrimet e tyre në këto kontrata për shkak të dyshimit se procesi i prokurimit nuk ishte në rregull.
Ish-ministri Abdixhiku ka pranuar se problemet me prokurimin kishin bërë që të mos e vuloste këtë proces, deri sa ministri Arban Abrashi nuk është deklaruar fare për çështjen.
Për më tepër, Ministria e Infrastrukturës ishte bërë borxhlike e dy kompanive, “Papenburg&Adriani” dhe “Eskavatori”, pasi nuk kishte arritur të realizojë pagesën e paradhënies ashtu siç parashihet me nenin 26.1 të Kushteve të veçanta të kësaj kontrate.
Sipas informacioneve, pagesa e këtyre avanceve kishte dërguar në zbulimin e skandalit të vjedhjes spektakolare të dy milionë eurove nga Thesari i Shtetit.
Nga kompania “Eskavatori” kanë njoftuar vetëm se faturat për avans i janë dorëzuar Ministrisë së Infrastrukturës, mirëpo pagesa nuk ishte realizuar deri në publikimin e këtij raporti (01.12.2020).
POR, CILA ISHTE HISTORIA E VËRTETË E KËTIJ PROCESI TË PROKURIMIT?
Ideja për ri-konstruimit të rrugës rajonale Prizren-Prevallë, kishte vite që kishte nisur.
Por në korrikun 2019, Ministria e Infrastrukturës kishte hapur procedurat tenderuese.
17 milionë euro i kishte planifikuar t’i harxhonte për këtë rrugë, ku 14 operatorë ekonomikë kishin shprehur interesin për t’u bërë kontraktorë për njërin nga 2 lot-et e tenderit në këtë ministri.
Loti i parë parashihte ndërtimin e 16 kilometrave duke nisur nga dalja e qytetit të Prizrenit, për çka MI kishte zgjedhur kompaninë “Eskavatori”, në një vlerë prej 7 milionë e 849 mijë euro.
E për rrugën tutje pas këtyre kilometrave që ishte 16 +10 kilometra, u përzgjodh “Papenburg &Ardiani”, me ofertën e saj prej 6 milionë e 643 mijë euro.
Buxhetit të Kosovës parashihej t’i kushtonte rindërtimi i saj 14 milionë 493 mijë euro.
Ani pse asnjëra nga këto kompani nuk ishin më të lirat në atë proces tenderimi, ashtu siç parasheh ligji i Prokurimit, Ministria e Infrastrukturës u përcaktua për to.
Dhjetëra ankesa shkuan në Organin Shqyrtues të Prokurimit, por njëra nga këto kompani nuk u dorëzua edhe pas nënshkrimit të kontratës – kompania “SA-Sallahu”.
Kishte aplikuar për të 2 lot-et, por ishte eliminuar më 4 tetor, me pretendimin se nuk i plotësonte kriteret e përcaktuara në Lot1, deri sa për Lot2, ku edhe ishte për 750 mijë euro me e lirë se sa “Papenburg&Adriani” që doli fituese, u ishte thënë se kishin bërë gabime aritmike në shumëzim.
Historia filloi të thellohet kur atyre iu lejua qasja në dokumentet publike, e ku sipas tyre, ata hasën në një mori parregullsish.
Një mori ankesash e kërkesash për rishqyrtim do të parashtronte kompania “SA-Sallahu” në Organin Shqyrtues të Prokurimit e në Ministrinë e Infrastrukturës, raporton Klankosova.tv.
Në mesin e pretendimeve ishin edhe faktet se kishin ofertën më të lirë se sa fituesit e tenderit, dhe se Ministria e Infrastrukturës kishte shkelur Ligjin e Prokurimit.
Pretendime këto që vërtetohen edhe nga eksperti shqyrtues i OSHP-së, për çka përfundimisht lënda kthehet në rivlerësim me 23 dhjetor.
Por në natën e ndërrimit të motmoteve, më 31 dhjetor 2019 , Ministria e Infrastrukturës do të njoftonte përmes një letre kompaninë “SA-Sallahu” se ajo nuk i plotësonte kushtet për të qenë fituese e këtij tenderi.
Një ankese e re me pretendime të reja ankimore u ngarkua në sistemin e e-prokurimit nga kompania në fjalë, me 6 janar 2020.
Dy ditë më vonë, Ministria e Infrastrukturës do ta cilësonte këtë ankesë të paafatshme dhe pa pretendime ankimore, por pretendimet e menaxheres së Prokurimit të Ministrisë së Infrastrukturës, Valmira Bllaca, u hodhën poshtë nga KRPP-ja e cila konfirmoi se ankesa ishte e afatshme dhe me pretendime ankimore.
Një përballje do të ndodhte në seancën e 26 shkurtit mes ekspertit shqyrtues të OSHP-së dhe Valmira Bllacës.
Por pavarësisht të gjithave, paneli shqyrtues i OSHP-së i dha të drejtë Ministrisë së Infrastrukturës.
Të bindur në të drejtën e tyre, vëllezërit Lulëzim e Nami Sallahu, me 8 janar në Policinë e Kosovës kishin ushtruar kallëzim Penal ndaj ish-sekretarit të Ministrisë së Infrastrukturës, Betim Reçica, Drejtoreshës së Prokurimit Valmira Bllaca, Kryetares së Komisionit Vlerësues, Blondina Gegollaj, Memli Pajazitit që sipas tyre është ndërmjetësues në mes Operatorëve Ekonomikë dhe Autoritetit Kontraktues dhe një mori zyrtarëve të tjerë të kësaj ministrie.
Prokuroria Themelore vetëm pati konfirmuar se më rastin është duke u marrë Prokuroria Speciale, pa dhënë detaje të mëtutjeshme. E PSRK-ja nuk ishte deklaruar për këtë hetim asokohe. /Klankosova.tv
●●●
ASHKRIMI NGA
A
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.