Lajmet e fundit

Kjo e martë shënon ditën e nisjes së negociatave të Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Por, procesi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian në vazhdimësi është cilësuar si prioritet strategjik që udhëheq agjendën e qeverisë së Shqipërisë, njofton Klankosova.tv.
Shqipëri që nga viti 2014 gëzon statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Evropian. Por, megjithatë kriteret e vendosura nga BE-ja morën kohë deri sot – kur pikërisht u bë nisja e hapjes së negociatave.
BE-ja mori zotimin për tu zgjeruar në Ballkanin Perëndimor në Samitin e Selanikut në qershor të vitit 2003, ku Shqipëria, së bashku me vendet e tjera të rajonit u identifikuan si vendet kandidate potenciale për anëtarësim.
Në qershor të 2006-tës, Shqipëria nënshkroi Marrëveshjen e Stabilizim dhe Asocimit, e cila hyri në fuqi në prill të vitit 2009. Kjo marrëveshje zëvendësoi marrëveshjen e mëparshme me Komunitetin Ekonomik Evropian mbi tregtinë dhe bashkëpunimin ekonomik dhe atë tregtar, nënshkruar në maj të vitit 1992.
Objektivi i kësaj qasje të re politike të BE-së ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor lidhet me rritjen e stabilitetit rajonal dhe parapërgatitjen e vendeve të rajonit për t’u integruar në Bashkimin Evropian.
Në dhjetor të vitit 2010, hyri në fuqi marrëveshja për heqjen e regjimit të vizave, duke lejuar qytetarët shqiptarë të udhëtojnë pa viza në zonën Shengen.
Në 2009-tën, Shqipëria gjithashtu paraqiti kërkesën e saj zyrtare për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Komisioni Evropian paraqiti një opinion (në vitin 2010), me kërkesën e Këshillit Evropian në lidhje me aplikimin për anëtarësim, duke vlerësuar se Shqipëria kishte ende për të përmbushur 12 prioritetet kyçe, në mënyrë që të arrinte një shkallë të nevojshme të pajtueshmërisë me kriteret e anëtarësimit.
Në tetor të vitit 2012, Komisioni rekomandoi që Shqipërisë t’i jepej statusi i kandidatit të BE, në varësi të përfundimit të reformave, veçanërisht në fushat e reformës së gjyqësorit dhe administratës publike.
Në qershor të vitit 2014, Këshilli Evropian i dha Shqipërisë statusin e kandidatit. Marrja e statusit të vendit kandidat shënon një hap shumë të rëndësishëm në procesin e integrimit të Shqipërisë në BE, pasi reflekton ecurinë e reformave të ndërruara dhe i hap rrugë procesit të plotë të aderimit të vendit në BE.
Hapi i sotëm i hapjes së negociatave ishte kushtëzuar në përmbushjen e plotë të pesë prioriteteve: Krijimi i një administrate profesioniste dhe të depolitizuar,forcimi i pavarësisë të institucioneve të drejtësisë, lufta kundër korrupsionit, lufta kundër krimit të organizuar dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut.