Rastet pozitive me COVID-19 janë në rritje në mesin e grupeve të moshave më të reja në Brazil, sipas Institutit Kërkimor brazilian “Fiocruz”.
"Vendi është në një situatë kolapsi të sistemit shëndetësor. Në të njëjtën kohë, pandemia ka fituar karakteristika të reja që prekin grupmoshat më të reja: 30 deri 39 vjeç, 40 deri 49 vjet dhe 50 deri 59 vjet", thuhet në raportin e bërë publik të premten, shkruan CNN, transmeton Klan Kosova.
Raporti analizoi të dhënat javore nga Ministria e Shëndetësisë në Brazil nga 1 janari deri më 13 mars 2021.
Analiza tregoi një rritje prej më shumë se 500% të infeksioneve midis njerëzve të moshës 30 deri 39 vjeç, një rritje më shumë se 600% mes 40 deri 49 dhe më shumë se 500% mes njerëzve 50 deri 59 vjeç.
Numri i përgjithshëm i rasteve të koronavirusit në të gjithë vendin, midis të gjitha grupeve të moshës, u rrit me 319% gjatë së njëjtës periudhë kohe, thekson raporti.
Që nga fillimi i valës së dytë të COVID-19 në nëntor 2020, ka pasur një kërkesë në rritje për shërbime shëndetësore nga pacientë të rinj në Brazil, thanë studiuesit e "Fiocruz".
Ndërsa më shumë njerëz të rinj po infektohen me virusin, vdekjet nga COVID-19 ndodhin më shumë tek njerëzit e moshuar, tha raporti.
●●●
NSHKRIMI NGA
NP
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.